Nga 1 korriku fillon rritja e çmimeve të bulmetit
Përpunuesit e qumështit paralajmërojnë nga 1 korriku rritjen e çmimeve për disa nga produktet e freskëta të bulmetit.
Arsyet e rritjes janë ndryshimi i çmimit të plastikës nga vendet furnizuese dhe shtrenjtimi i çmimit të energjisë nga rinovimi i kontratave në tregun e lirë.
Për shkak të rritjes së kostos nga këto faktorë, përfaqësuesi i kompanisë “Erzeni”, Sajmir Begaj tha për Monitor se tashmë kompania ka vendosur rritjen e çmimeve të produkteve të freskëta të bulmetit si qumësht, kos dhe djathë lope me 10% që nisin nga 1 korriku.
“Arsyet e rritjes së çmimeve janë kostot e larta të prodhimit për shkak të rritjes 10% të lëndës së plastikës dhe çmimit të energjisë pas vendimit për daljen në treg të lirë. Rritja e çmimit të plastikës ka ardhur për shkak të shtrenjtimit të lëndës së parë në tregjet e huaja dhe nga furnizuesit rritja u lajmërua 3 muaj më parë. Shpenzimet vjetore të plastikës janë rreth 15 mln lekë në vit, ndërsa për energjinë elektrike janë mbi 15 mln lekë.
Për sa i përket çmimit të energjisë nga 1 korriku do të paguajmë 13,5 lekë/kw nga 9 lekë/kw që paguanim. Përfunduam kontratën 2 vjeçare për furnizimin në treg të lirë me çmim 9 lekë/kw dhe nga 1 korriku çmimi do të jetë 30% më i lartë. Aktualisht në verë ne konsumojmë 3 deri 4 mln lekë energji. Me këtë rritje çmimi do të paguajmë nga 900 mijë deri 1,2 mln lekë më shumë në muaj. Për këtë arsye çmimet e produkteve të freskëta, si qumësht, kos dhe djathi lopë do të rriten 8 deri 10%, pasi kostoja e prodhimit të tyre është e papërballueshme.”
Aktualisht me një rritje së produkteve të ambalazhimit nga Greqia dhe Italia po përballet edhe kompania tjetër e përpunimit të qumështit “Gjirofarm”. Administratori i kompanisë Nikolla Gjoni tha për Monitor se shtrenjtimi i lëndës së parë prodhuese të plastikës ka ardhur për shkak të fluksit të kërkesës pas hapjes së tregjeve. Z. Gjoni pohoi se kompania nuk do të ndryshojë çmimet e produkteve dhe kostot shtesë do të mbulohen prej saj.
“Aktualisht ka një rritje të lëndës së parë, edhe “Gjirofarm” po përballet me këtë problem, sidomos ambalazhet me të cilat ne furnizohemi nga Itali dhe Greqia. Rritja e çmimit të lëndëve të para ka ardhur më së shumti nga hapja e menjëhershme pas kufizimeve afatgjata në ekonominë globale, duke krijuar kërkesë të shtuar përballë mundësive të pakta të furnizueseve. “Gjirofarm” do të mbulojë vetë këto kosto shtesë dhe nuk do të rrisë çmimet, përderisa situata pandemike ende është prezente me gjithë efektet e saj negative për individët dhe bizneset.
Edhe çmimet e produkteve tona që eksportohen në SHBA, Macao (Kinë) dhe Kosovë nuk do reflektojnë rritjen e çmimit të lëndës së parë.
Shpresojmë që situata rritëse e çmimeve të lëndës së parë në tregun global të normalizohet se shpejti. Pritshmëritë tona të bazuara në analiza makro ekonomike të tregjeve, janë që rreth muajit tetor situata të normalizohet. Shpejt situata kërkesë -ofertë do të stabilizohet”, nënvizon administratori i kompanisë “Gjirofarm”.
Më herët përpunuesit e qumështit ngritën edhe shqetësimin e shtimit të kostove nga ndryshimet fiskale të TVSH-së që nisën zbatimin në 2019. Me skemën e vjetër, vlera e kompensimit ishte 20%, ndërsa nga 1 janari 2019 është 6%, për rrjedhojë pagesa e TVSH-së nga blerësit është së paku trefish më e lartë (kompensimi është TVSH-ja e zbritshme për grumbulluesin e qumështit dhe deklarohet në periudhën tatimore kur është lëshuar fatura e blerjes të qumështit nga fermeri).
Për këtë arsye, operatorët kryesorë të përpunimit të qumështit i kanë kërkuar Ministrisë së Financave ndryshimin e skemës. Në një letër dërguar disa muaj më parë, kompanitë e përpunimit të qumështit dhe dhomat e tregtisë propozuan që TVSH-ja, si për blerje edhe për shitje, të jetë e njëjtë në nivelet 6 ose 9%. Propozimi i tyre pritet të shqyrtohet me hartimin e buxhetit të ri në muajin tetor./MONITOR