Një pyetje me rëndësi jetike – A dini se cili është grupi i gjakut tuaj?

Po të mos e dish se ç’grup e ke gjakun mund të jetë e rrezikshme, sidomos në rast se pëson ndonjë aksident dhe ke nevojë për gjak.

Pyetjes për grupin e gjakut, duhet të dijë t’i japë përgjigje gjithkush. Por vetëm pak njerëz e dinë grupin e vet të gjakut, megjithëse ky mund t’u shpëtojë jetën. Për shembull në rast se dikush dëmtohet në një aksident dhe nëse dihet çfarë grupi gjaku ka i aksidentuari, infermierët dhe mjekët e kanë më të lehtë të organizojnë sa më shpejtë gjakun e duhur për transfuzion, sepse jo çdo grup gjaku është i përshtatshëm për të gjithë.

Grupi i gjakut trashëgohet

Grupi i gjakut përcaktohet nga genet, pra është i trashëgueshëm. Sistemi i ashtuquajtur ABo (zero) e ndan gjakun e njeriut në katër grupe të ndryshme gjaku: A, B, AB, dhe 0. Në rastet e dhurimit gjaku duhet të ketë të njëjtin grup si për dhuruesin edhe për marrësin. Nëse gjaku i dhuruar dhe marrësi i gjakut nuk përshtaten, atëherë gjaku mund bllokohet dhe të ketë pasoja vdekjeprurëse. Prandaj është jetike që secili ta dijë grupin e gjakut të vet.

Cilat grupe gjaku përshtaten me njëra tjetrën?

Grupi A i gjakut haset më shpesh me rreth 43 përqind. Në vend të dytë është grupi 0 i gjakut, grupi që mund të dhurohet tek të gjithë marrësit e gjakut. Grupin B të gjakut e kanë rreth 11 përqind e popullsisë dhe AB vetëm pesë përqind.

Grupi 0 i gjakut është shumë i kërkuar. Kush ka grup gjaku 0 negativ, është dhurues universal, gjaku i tij mund të përdoret nga të gjithë marrësit. Grupi i gjakut AB pozitiv është marrës universal, pra pranon çdo lloj gjaku. Para zbulimit të grupeve të gjakut, ka qenë rastësi kur një transfuzion gjaku është kryer pa komplikacione.

Antitrupa dhe antigjene

Një faktor i rëndësishëm janë antitrupat. Këto janë proteina, që ndodhen në plazëm. Ato janë pjesë e mbrojtjes natyrore të trupit, dallojnë trupat e huaj siç janë mikrobet dhe i japin alarmin sistemit imunitar. Sa i përket grupit të gjakut, kjo do të thotë se antitrupat prodhojnë qeliza gjaku kundër trupave të huaj, për t’i dalluar dhe luftuar ato.

Edhe antigjenet luajnë një rol të rëndësishëm. Këto janë molekula proteinash, që ndodhen në sipërfaqe të rruazave të kuqe të gjakut. Njerëzit me grup gjaku A kanë në sipërfaqen e eritrociteve antigjenin A. Tek grupi B antigjenin B. Tek grupi AB rruazat e kuqe të gjakut kanë të dy antigjenet, tek grupi o i gjakut nuk kanë asnjë antigjen.

Sistemi imunitar krijon përkatësisht antigjenin antitrup që mungon. Njerëzit me grup gjaku A kanë antitrupa kundër B dhe anasjelltas. Njerëzit me grup gjaku AB nuk krijojnë antitrupa. Tek grup 0 i gjakut ekzistojnë antitrupat si kundër A ashtu edhe kundër B.

Faktori rezus pozitiv apo negativ?

Sistemi i dytë më i rëndësishëm për klasifikimin e gjakut, mbas sistemit të grupeve Abo është sistemi rezus. Tek faktori rezus kemi të bëjmë me “antigjenin D” në rruazat e kuqe të gjakut. Kush e zotëron këtë gjen është rezus pozitiv. Kush nuk e ka këtë antigjen, është rezus negativ. Njëjtë si tek grupet e gjakut, personat me rezus negativ krijojnë antitrupa kundër gjakut me rezus pozitiv. Edhe këto faktorë janë të rëndësishëm gjatë transfuzionit të gjakut. Rreth 85 përqind e popullsisë europiane është rezus pozitiv. Pra gjaku me rezus negativ është me pakicë kur flitet për dhurim gjaku.

Gudrun Heise Gazetare e DW e specializuar në tema mjekësore dhe shkencore.

SHKARKO APP