Njerëzit duhet të punojnë katër orë në ditë, tre ditë në javë
Miliarderi Jack Ma, mbështetës jetëgjat i kulturës kineze eksesive të punës, thotë se falë inteligjencës artificiale, njerëzit do të kenë mundësi të punojnë vetëm 12 orë në javë.
Njerëzit mund të punojnë tre ditë në javë, katër orë në ditë, me ndihmën e avancimeve teknologjike dhe reformave në sistemt arsimore, tha themeluesi i Alibaba Group Holding Ltd në World Artificial Intelligence Conference në Shangai. Në skenë me të ishte edhe Elon Musk, CEO i Tesa Inc. që po ndërton fabrika në Shangai.
Ma citoi elektricitetin si shembull i zhvillimeve në teknologji që i falin popullatës më shumë kohë të lirë. “Fuqia e elektricitetit i lejon njerëzit të kenë më shumë kohë, të shkojnë në karaoke apo të kërcejnë darkave. Mendoj se si rrjedhim i inteligjencës artificiale, njerëzit do të kenë më shumë kohë thjesht për të jetuar.”
“Për 10, 20 vitet e ardhshme, çdo njeri, shtet, qeveri, duhet të fokusohet në reformimin e sistemit arsimor, të sigurohet që brezat e ardhshëm mund të gjejnë punë, një punë që kërkon vetëm tre ditë të javës, katër orë në ditë,” tha Ma. “Nëse nuk ndryshojmë sistemin arsimor, jemi të gjithë në telashe.”
Këtë vit, Ma mbështeti rutinën kineze të sektorit teknologjik ku punonjësit punojnë 12 orë në ditë, gjashtë ditë në javë. Në një postim në blog, njeriu më i pasur në Kinë u doli kundër atyre që presin të punojnë tetë orë në ditë, 9-5.
“Nuk shqetësohem për punë,” tha Ma të enjten. “Kompjuterët kanë qarqe, njerëzit kanë zemra. Mençuria vjen nga zemra.”
Ma tha se sistemi i tanishëm arsimor është i vjetëruar – i modeluar për periudhën industriale – dhe se parashikon një të ardhme ku makineritë do të jenë më të zgjuara se njerëzit në punë rutinore dhe në memorie. Ai tha se sistemet e ardhshme arsimore duhet t’i ndihmojnë njerëzit të jenë më kreativë. Musk ra dakord me Ma, duke përmendur projektin e tij Neuralink që shkrin trurin njerëzor me inteligjencën artificiale.
“Mënyra si funksionon arsimi tani, është shumë i ngadaltë, është dritëshkurtër. Leksionet janë horror,” tha Musk. “Me kalimin e kohës, mund të ngarkosh informacion në tru sipas dëshirës, si te Matrix.”