OBSH: Shqipëria do ta ulë deri -28% duhanpirjen

Gjatë dy viteve të fundit Shqipëria ka bërë progres në reduktimin e duhanpirjes, megjithatë mbetet një sfidë e vështirë duke qenë se është një nga shkaqet kryesore të vdekshmërisë. Sipas raportit të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetit nëse Shqipëria vazhdon të zbatojë kontrollin ndaj duhanpirjes dei në vitin 2025 norma do të reduktohet në rreth 28% të popullsisë ( rreth 739,100 persona). Në vitin 2010 kjo normë ishte 31% ( rreth 746,900 persona).

Sa i përket kategorive, OBSH raporton se deri në vitin 2025 norma e duhanpirjes do të jetë 50% te meshkuj dhe 6% te femrat. Norma më e lartë e konsumit të duhanit në Shqipëri llogaritet në 40-54 vjeç, kryesisht kjo për meshkujt. Shtetet anëtarë të kësaj organizate me bazë vullnetare kanë ndërmarrë angazhimin për të ulur numrin e përdoruesve të duhanit me 30% deri në vitin 2025.

Ndërsa sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë në Shqipëri gjatë vitit 2015 prodhimi i duhanit pësoi rënie në 848,000 kg nga rreth 951,000 kg që ishte në vitin parardhës.

Organizata Botërore e Shëndetit ndërkohë po zbaton strategjinë për atë që njihet si “paketim gjenerik”, që nënkupton që të gjitha paketat e duhanit të duken njësoj sepse edhe germat do të jenë të detyrueshme të jenë të njëjtat për çdo lloj pakete, por i vetmi ndryshim është emri i markës tregtare.
Ekspertët e OBSH-së thonë se paketimi i thjeshtë i produkteve të duhanit rrit efektivitetin e paralajmërimeve shëndetësore.

Hartuesit e politikave inkurajojnë qeveritë që të marrin masa për miratimin e paketimit të thjeshtë.

Në dhjetor 2012, Australia u bë vendi i parë për zbatimin e plotë të paketimit të thjeshtë. Në maj të këtij viti nismës iu bashkua edhe Irlanda, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca e po kështu të tjera vende pritet t’i bashkohen nismës.

SHKARKO APP