Paralajmërimi nga ataku në zemër apo goditja në tru
Një atak në zemër ose goditje në tru mund të jetë paralajmërimi i parë i një sëmundje kryesore.
Ka shumë lloje të ndryshme të sëmundjeve që mund të japin ose goditje në zemër ose goditje në tru dhe për lehtësi i ndajmë këto sëmundje në tre grupe të mëdha: në sëmundje që ndikojnë drejtpërdrejtë në zemër, në tru dhe në sistemin periferik të qarkullimit të gjakut.
Sëmundjet kardiovaskulare shkaktohen në përgjithësi nga kombinimi i një sërë shkaqesh të përbashkëta e të shumta, duke filluar me karakteristikat social-biologjike, si presioni i lartë i gjakut, kolesteroli i lartë, mbipesha e obeziteti, diabeti, apo faktorët e mënyrës së jetesës, si dieta jo e shëndetshme, duhanpirja, mungesa e aktivitetit fizik, konsum i shtuar i alkoolit,të cilat rrisin probabilitetin për të pësuar një problem të enëve koronare apo cerebrovaskulare. Përsa i përket barrës së vdekjeve, faktor kryesor rreziku i SKV është presioni i lartë i gjakut, të cilit i atribuohet 13 % e vdekjeve globale, e ndjekur nga përdorimi i duhanit 9 %, sheqeri i ngritur i gjakut 6%, pasiviteti fizik 6 % dhe mbipesha e obeziteti 5%.
Parë në këtë kënd vështrim shumica e sëmundjeve kardiovaskulare (SKV) janë shkaktuar nga faktorë të rrezikut që mund të kontrollohen, trajtohen ose të modifikohen. Të gjithë ekspertët e shëndetësisë sot në botë, besojnë se sëmundjet kardiovaskulare janë dukshëm të parandalueshme, duke evituar një numër të madh vdekjesh të parakohshme. OBSh-ja përllogarit se, të marra së bashku, uljet modeste të tensionit të gjakut, obezitetit, të kolesterolit dhe të përdorimit të duhanit në të gjithë popullsinë, mund të përgjysmojnë incidencën e sëmundjes kardiovaskulare.
Prekja
Është një mit që sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru prekin vetëm të moshuarit, meshkujt si dhe popullatat e pasura. Sëmudnjet prekin sa gratë po aq dhe burrat megjithatë, rreziku i SKV tek gratë është nënvlerësuar seriozisht. Në fakt, sëmundjet e zemrës janë vrasësi numri një i grave në botë, duke shkaktuar vdekje 1 në 3 femra: është shokuese ka një vdekje për minutë!
Edhe pse Sëmundjet kardiovaskulare si të gjitha sëmundjet kronike rriten me moshën apo takohen më shpesh në moshat e larta, por ato nuk duhen konsideruar si një problem vetëm i të moshuarve. Fëmijët janë gjithashtu shumë të prekshëm: rreziku për SKV mund të fillojë para lindjes, që gjatë zhvillimit të fetusit, dhe rritet më tej gjatë fëmijërisë me ekspozimin ndaj dietave jo të shëndetshme, mungesës së aktivitetit fizik dhe pirjes së duhanit.
Sëmundjet kardiovaskulare, si të gjitha sëmundjet kronike, fillojnë që në barkun e nënës dhe shtohen me moshën, për shembull është provuar se pesha e ulët në lindje është e lidhur me një risk të shtuar për hipertension, sëmundje zemre, cerebrovaskulare dhe diabet në jetën adulte. Sëmundjet kardiovaskulare edhe tek ne nuk janë problem vetëm i burrave por janë problem edhe i grave, të dyja gjinitë sëmuren dhe vdesin njëlloj nga sëmundjet kardiovaskulare.
Sidomos gratë mbas menopauzës sëmuren dhe vdesin më shumë se burrat dhe vdekjet nga SKV janë pothuajse gjysmë për gjysmë midis të dyja gjinive. Ka një veçanti të të vdekjeve tek ne, sepse gratë vdesin më shumë nga sëmundjet e enëve të gjakut të trurit në masën 38.3%; ndërsa burrat vdesin më shumë nga sëmundja ishemike e zemrës në masën 32.4%.
Duke qenë se sëmundjet kardiovaskulare, në shumicën e tyre, lidhen ngushtësisht me faktorët e stilit të jetesës të cilët janë të modifikueshëm, të trajtueshëm dhe të kontrollueshëm, atëherë apeli bëhet për të nxitur marrjen e masave për të shpëtuar njerëzit jetën e tyre, duke bërë vetëm disa ndryshime, të cilat mund të ndihmojnë për të zvogëluar rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe goditjes në tru:, si inkurajim për ushqim të shëndetshëm, inkurajim për kryerje të aktivitetit fizik, shmangien e përdorimit të duhanit dhe kontrollin e rregullt të presionit të gjakut.