Përhapja e nishaneve në trup përbën rrezik
Melanoma malinje është tumor i lëkurës, i cili nëse nuk zbulohet herët është mjaft i rrezikshëm. Të gjithë njerëzit mund të preken nga melanoma malinje sidomos personat me lëkurë të bardhë, por përsa i përket gjinisë më të rrezikuar janë meshkujt.Dr. Onkologe, Nevila Rexhaj në vijim të intervistës ka shpjeguar shenjat e para të shfaqjes së melanomës, dallimin e nishanëve normal nga ato të rrezikshmit, si dhe metodën për trajtimin e tyre. Mosha më e shpeshtë e prekjes nga melanoma është rreth të 50 – tave, por nuk përjashtohen moshat e reja.
Çfarë është melanoma dhe sa e rrezikshme është ajo?
Melanoma malinje është tumor i lëkurës që karakterizohet nga transformimi malinj i melanociteve, qeliza që prodhojnë melaninën. Është tumor mjaft agresiv në qoftë se nuk zbulohet herët. Melanoma metastatike reagon dobët ndaj trajtimit dhe ka vdekshmëri të lartë.
Kush e shkakton melanomën?
Faktori kryesor i rrezikut për të shkaktuar melanomë është kombinimi i rrezatimit ultravioletë (kryesisht UVB) me tiparet bionde.
Cilat janë shenjat e para të melanomas?
Melanoma ka disa karakteristika të cilat përmblidhen në shkurtimet ABCD.
A-asymmetry, pra është një lezion kutan asimetrik.
B-border irregularity, është një lezion me kufinj të çrregullt.
C-colour, ngjyra është jo e njëtrajtshme kryesisht e zezë, por nuk përjashtohen edhe ngjyra të tjera, si kafe, blu, të kuqe apo edhe të bardhë.
D-diametër, diametri është më i madh se 6 mm.
Pra si përmbledhje një nishan asimetrik, me kufinj të çrregullt, me ngjyrë jo të njëtrajtshme kryesisht të zezë dhe me madhësi mbi 6 mm ka probabilitet të madh të jetë melanomë malinje. Në këto raste apo edhe në rastet e një nishani preegzistues që ka ndryshuar formë, ngjyrë apo ka filluar të gjakosë, pacienti duhet drejtuar tek Dermatologu i cili përveç inspeksionit vizual bën edhe vlerësimin me dermatoskop duke ndihmuar në diagnostikim më të saktë të melanomës.
Kush janë më të rrezikuar nga kanceri i lëkurës?
Melanoma shfaqet tek të gjithë njerëzit, por më të rrezikuar janë rraca kaukaziane ose rraca e bardhë. Raporti rracë e bardhë me të zezë është 10 : 1. Personat më shumë të rrezikuar janë ata me tipare bionde: lëkurë e bardhë që digjet lehtë në diell, flokë të verdhë ose të kuq dhe sy bojqiell ose jeshil. Kombinimi i këtyre tipareve me ekspozimin e vazhdueshëm në diell të pa mbrojtur dhe sa më afër ekuatorit ku rrezatimi diellor është më i fortë, rrit shumë rrezikun e shfaqjes së melanomës malinje.
Përhapja e nishaneve në trup është shqetësim?
Shfaqja e një numri të madh nishanesh në trup sigurisht është shenjë e një ekspozimi jo të përshtatshëm në diell prandaj konsiderohet dhe si një indikator i rrezikut për formim të melanomës malinje. Kështu në qoftë se një pacient ka mbi 100 nishane më të mëdhenj se 2mm ka rrezik të lartë të zhvillimit të melanomës malinje.
A shfaqet melanoma te kushdo?
Të gjithë njerëzit janë të rrezikuar nga zhvillimi i melanomës malinje, por më të kujdesshëm duhet të tregohen njerëzit me tipare bionde. Përsa i përket gjinisë, meshkujt kanë incidencë më të madhe se femrat. Tek meshkujt melanoma lokalizohet kryesisht në pjesën e trungut (shpinë) dhe kokë – qafë ndërsa tek femrat në ekstremitetet e poshtme (krysisht poshtë gjurit). Përsa i përket moshës është më e shpeshtë rreth të 50 – ve, por nuk përjashtohen mosha më të reja. Vetëm në 15% të rasteve melanoma zhvillohet nga një nishan preegzistues.
Çfarë metode trajtimi këshillohet të përdoret për kancerin e lëkurës?
Zhvillimi i melanomës malinje kalon në dy faza: faza e rritjes sipërfaqësore dhe faza e rritjes vertikale. Kalimi nga faza sipërfaqësore në fazën vertikale kërkon një kohë të gjatë. Është shumë e rëndësishme njohja e këtij fakti, sepse në qoftë se melanoma zbulohet gjatë fazës së parë dhe trajtohet me anë të kirurgjisë ka një prognozë shumë të mirë dhe vdekshmëri shumë të ulët. Në qoftë se melanoma zbulohet gjatë fazës së rritjes verikale, metastazimi është i shpejtë dhe prognoza është e keqe. Melanoma metastatike reagon dobët ndaj mjekimit, si kimioterapia apo radioterapia. Mjekimi kryesor për melanomën malinje është kirurgjia. Në stade të avancuara pas kirurgjisë ka indikacion për imunoterapi me interferon. Në rast të prekjes limfonodulare përdoret radioterapia.
Cilat janë rregulluat që ndihojnë për të mbajtur larg kancerin e lëkurës?
Siç u tha më parë faktori krysor i rrezikut është ekspozimi i trupit ndaj rrezatimit diellor. Mbrojtja ndaj këtij rrezatimi është masa më e mirë mbrojtëse që merret ndaj këtij kanceri. Normalisht duhet evituar ekspozimi ndaj diellit në fashën orare 11-15. Në këtë orar është mirë të qendrohet në ambiente të brendshme. Përdorimi i një bluze të bardhë pambuku, kapeles dhe syzeve do të ishte një masë tjetër mbrojtëse. Në të gjitha rastet e ekspozimit në diell është e rëndësishme përdorimi i kremit me faktor mbrojtës mbi 15. Të gjitha këto masa duhet të jenë akoma më të kujdesshme në rastin e fëmijeve, pasi një faktor i rëndësishëm rreziku në zhvillimin e melanomës malinje është djegia e lëkurës në moshat e vogla. Pra personat që gjatë fëmijërisë së tyre janë djegur shpesh nga dielli kanë faktor rreziku më të lartë.
Intervistoi: Vilma Kërçiku TV Klan