Proteza ortopedike falas edhe në spitalin Rajonal të Fierit
Protezat ortopedike ofrohen tashmë tërësisht falas edhe në spitalin Rajonal të Fierit. Në këtë mënyrë, qytetarët që kanë nevojë për këtë shërbim, nuk ju duhet më të shpenzojnë para për ti blerë vetë materialet, por ato ofrohen falas dhe me një cilësi tepër të lartë.
Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, ishte në spitalin Rajonal të Fierit ku u takua me mjekët ortopedë të këtij spitali, teksa u shpreh se tashmë qytetarët nuk kanë nevojë të shpenzojnë para për t’i blerë vetë protezat me kosto që shkonin deri në 3 milionë lekë, apo të shkonin në spitale jopublike, por mund t’i kryejnë operacionet në spitalin Rajonal të Fierit duke mos paguar asgjë.
“Edhe në spitalin Rajonal të Fierit ka filluar prej disa javësh ofrimi i protezave në spital, brenda atij kujdesi shëndetësor, sigurisht falas, pa pagesë që ne ofrojmë në spital. Tashmë, edhe protezat, qytetarët nuk kanë nevojë të shpenzojnë para për t’i blerë vetë siç kanë bërë deri më parë, me kosto që shkonin edhe deri në 3 milionë lekë, apo të shkonin në struktura spitalore private, por mund t’i kryejnë operacionet në spitalin Rajonal të Fierit duke mos paguar asgjë”, theksoi z. Beqaj.
Kreu i Shëndetësisë, bëri të ditur se kjo është një lehtësi jo vetëm për pacientët, por edhe për mjekët, si dhe ndihmon për të patur një marrëdhënie shumë më transparente dhe njerëzore me vetë pacientët.
“Unë besoj se furnizimi dhe i protezave falas është një lehtësi për qytetarët, për qytetarët e Fierit që jo vetëm që nuk duhet të paguajnë apo nuk duhet të marrin rrugën për të shkuar në Tiranë, është një ndihmë edhe për mjekët që arrijnë të bëjnë shërbimin e plotë, të mund të bëjnë këtu edhe operacione komplekse që të shprehin më të mirën e tyre, por unë besoj se na ndihmon shumë edhe për të patur një marrëdhënie shumë më transparente dhe shumë më njerëzore edhe me vetë pacientët sepse mungesat që ne kemi në sistem për fat të keq vijnë si barrë dhe i faturohen vetëm mjekëve dhe infermierëve”, u shpreh Ministri Beqaj.
Ministri i Shëndetësisë vizitoi edhe një prej pacienteve, e cila vuante prej vitesh por për shkak të mungesës financiare nuk kishte mundur ta bënte ndërhyrjen. 46-vjeçarja e kaloi me sukses operacionin dhe tashmë ka nisur fazën e rikuperimit.
Nga ana e tij, mjeku ortoped në spitalin Rajonal të Fierit, Elvis Sota, u shpreh se kjo është hera e parë që spitali i Fierit ofron impiante të tilla. “Unë punoj prej 5-vjetësh në spitalin e Fierit si mjek ortoped, dhe për fat të mirë, kjo është hera e parë që ne kemi implante të tilla të cilat janë cilësi, cilësia më e mirë në treg, si për neve, për pjesën e punës, për veglat që përdorim, si për pjesën e pacientit pasi janë goxha më të lehta dhe goxha më të absorbueshme dhe pa probleme”, deklaroi Dr. Sota.
Ai theksoi, gjithashtu, se i gjithë ky shërbim është pa kosto për pacientët pasi ofrohet tërësisht falas. “Në spitalin tonë është vendosur dhe një protezë totale koksofemorale. Kjo është hera e parë që vendoset një protezë e një cilësie të tillë. Pacientja është mirë dhe gjëja më e rëndësishme është që pacientja nuk ka harxhuar, sepse më përpara këto proteza siguroheshin privatisht nga pacientët”, u shpreh mjeku ortoped Elvis Sota.
Fjala e plotë i Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj:
Edhe në spitalin Rajonal të Fierit ka filluar prej disa javësh ofrimi i protezave në spital, brenda atij kujdesi shëndetësor, sigurisht falas, pa pagesë që ne ofrojmë në spital. Tashmë, edhe protezat, qytetarët nuk kanë nevojë të shpenzojnë para për t’i blerë vetë siç kanë bërë deri parë, me kosto që shkonin edhe deri në 3 milionë lekë, apo të shkonin në struktura spitalore private, por mund t’i kryejnë operacionet në spitalin Rajonal të Fierit duke mos paguar asgjë.
Edhe rasti i pacientes që ne pamë ishte një e sëmurë e hershme, kishte shumë vite që nuk kishte mundur ta bënte operacionin për mungesë mjetesh financiare, dhe shpresojmë që ajo të bëhet mirë dhe praktikisht, unë besoj se furnizimi dhe i protezave falas është një lehtësi për qytetarët, për qytetarët e Fierit që jo vetëm që nuk duhet të paguajnë apo nuk duhet të marrin rrugën për të shkuar në Tiranë, është një ndihmë edhe për mjekët që arrijnë të bëjnë shërbimin e plotë, të mund të bëjnë këtu edhe operacione komplekse që të shprehin më të mirën e tyre, por unë besoj se na ndihmon shumë edhe për të patur një marrëdhënie shumë më transparente dhe shumë më njerëzore edhe me vetë pacientët sepse mungesat që ne kemi në sistem për fat të keq vijnë si barrë dhe i faturohen vetëm mjekëve dhe infermierëve.
Është mundësia për të falënderuar të gjithë ekipin e spitalit të Fierit, edhe për ngarkesën shumë të madhe që u është dashur të përballojnë në javët e para të vitit si pasojë e një situate gripale epidemike shumë intensive dhe me numër shumë të madh pacientësh.
Intervista me Dr Elvis Sota, ortoped, Spitali Rajonal Fier:
Unë punoj prej 5-vjetësh në spitalin e Fierit si mjek ortoped, dhe për fat të mirë, kjo është hera e parë që ne kemi implante të tilla të cilat janë cilësore, cilësia më e mirë në treg, si për neve, për pjesën e punës, për veglat që përdorim, si për pjesën e pacientit pasi janë goxha më të lehta dhe goxha më të absorbueshme dhe pa probleme.
Kjo ka ndodhur para 3-javësh, na janë lëvruar fondet dhe veglat para 3-javësh. Neve kemi 3-javë që punojmë me këto vegla e reja, kemi operuar disa pacientë. Dje në spitalin tonë është vendosur dhe një protezë totale koksofemorale. Kjo është hera e parë që vendoset një protezë e një cilësie të tillë. Pacientja është mirë dhe gjëja më e rëndësishme është që pacientja nuk ka harxhuar sepse më përpara këto proteza siguroheshin privatisht nga pacientët, edhe vendoseshin edhe më përpara në spitalin tonë. Tani janë falas, kjo është një pjesë që është mundësuar me fondin e lëvruar së fundmi nga Ministria për gjithë pjesën e këtyre impianteve ortopedike, ndërto përfshihen edhe protezat koksofemorale.