Qumësht i skremuar apo qumësht me yndyrë, cilin duhet të zgjidhni?
Rreth viteve 80’ konsumatorët globalë u përballën me paralajmërimin se qumështi me yndyrë të plotë rriste rrezikun e sëmundjeve të zemrës.
Në vend të tij, konsumatori u këshillua të zgjidhte qumështin e skremuar si një alternativë më e shëndetshme për zemrën.
Por kohët e fundit, studimet shkencore paralajmërojnë se qumështi me yndyrë nuk është domosdoshmërisht i tmerrshëm për shëndetin.
Një studim të cilit i referohet AgroWeb.org shpjegon se njerëzit që konsumojnë tre ose më shumë racione produktesh bulmeti me yndyrë të plotë, kanë një nivel më të ulët të sëmundjeve të zemrës.
Cilin qumësht duhet të zgjidhni për shëndetin
Kardiologët argumentojnë se njerëzit, sidomos ata që jetojnë në vende me të ardhura mesatare apo të ulëta, duhet të konsumojnë më shumë produkte bulmeti.
Kur vjen puna tek qumështi, përsa kohë konsumi mbetet i një niveli mesatar, konsumatori mund të zgjedhë lirisht mes të dyja alternativave.
A e mbron zemrën qumështi me yndyrë të plotë?
Një studim tjetër i publikuar në revistën Clinical Nutrition zbuloi se pirja e qumështit me yndyrë të plotë mund të ulë ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare dhe ishemisë.
Në analizat mjekësore të 3000 pjesëmarrësve në studim, ekspertët zbuluan se acidet yndyrore të qumështit me yndyrë ulin rrezikun e vdekjes së parakohshme nga ishemia me 42 përqind.
Është e vërtetë që qumështi përmban yndyrna të shumta të ngopura por jo të gjitha janë të dëmshme.
Për shembull, qumështi me yndyrë të plotë përmban acide yndyrore omega-3.
Këto acide janë të mira dhe të mbajnë të ngopur për shumë kohë.
Nga ana tjetër vitamina D që gjendet tek produktet e pasuruara industrialisht të bulmetit ka gjasa të përthithet më mirë me qumështin me yndyrë.
Kjo ndodh sepse vitamina D tretet më mirë në yndyrë.
Ekspertët sqarojnë se nëse njeriu tregohet i kujdesshëm me kaloritë, konsumon fruta dhe perime të shëndetshme dhe kryen aktivitet fizik, nuk ka arsye të frikësohet nga qumështi me yndyrë.
Gjithësesi, sekreti qëndron tek aftësia për të mos e tepruar jo vetëm me qumështin por edhe me çdo ushqim tjetër./AgroWeb.org