Qytetarët e Vlorës i Thonë JO! Duhanit‏

 U organizua sot në Vlorë takimi i katërt “Shqipëria Jo Duhanit!” – pas atyre të Tiranës, Korçës dhe Beratit – nga një grup nismëtarësh i shoqërisë civile, me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë, i cili synon rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit të opinionit publik për zbatimin e ndryshimeve që kanë hyrë rishtazi në fuqi në Ligjin për Mbrojtjen e Shëndetit nga Produktet e Duhanit.

Ecjes ndërgjegjësuese antiduhan në bulevardin kryesor të qytetit me grupin e pjesmarrësve, aktivistëve, qytetarëve të Vlorës dhe grupeve artistike të qytetit, i’u bashkuan edhe autoritetet vendore, Ministri i Shëndetësië, z. Ilir Beqaj, Kryebashkiaku i Vlorës, z. Shpëtim Gjika, Prefektja e Qarkut të Vlorës, znj. Etjona Hoxha dhe Kryetari i Qarkut të Rrethit të Vlorës, z. Sadrit Danaj.

Ndërmjet aktiviteteve të tjera të zhvilluara për këtë qëllim në qytet, ishte edhe shfaqja e një dokumentari ndërgjegjësues për dëmet e duhanit dhe takimit të aktivistëve të shoqërisë civile me nxënësit e shkollave 9-vjeçare: Shkolla e Mesme e bashkuar Novoselë; Shkolla e Mesme “Ali Demi”, dhe Shkolla 9-vjeçare “Lef Sallata”. Gjithashtu, nxënësit e shkollave, të veshur me bluzat me shkrimin “Shqipëria Jo Duhanit” ecën në lokalet përgjatë zonës bregdetare me moton “Lëvizja Po, Duhanit Jo”, ndërkohë që pati edhe performanca të grupeve artistike në shëtitoren e qytetit.

SHKARKO APP