Rezonancë Magnetike edhe në Shkodër
Për të bërë një rezonancë magnetike në shërbimin shëndetësor publik, një ezkaminim i detajuar i trupit apo i pjesëve të veçanta, pacientëve të Qarkut të Shkodrës dhe zonave përreth, deri më tani, u është dashur të kalojnë nëpër kalvarin e ecejakeve në Tiranë, pritjes raskapitëse në radhët e pafund, apo në rast të kundërt duhet ta kryenin në spitalet jo publike kundrejt çmimeve të larta.
Tashmë, banorët e qytetit verior do ta përfitojnë këtë shërbim të diagnostikimit imazherik nëpërmjet pajisjes së rezonancës magnetike, pa pasur nevojë të udhëtojnë në qendrat e specializuara të Tiranës. Lajmi u bë i ditur gjatë takimit që Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, dhe Deputetja e Partisë Socialiste, znj. Mimoza Hafizi, zhvilluan sot (26/1/2016) me drejtues, mjekë, infermierë e punonjës të shëndetësisë me rastin e vënies në funksionim të pajisjes së re moderne ekzaminuese të Rezonancës Magnetike në Spitalin Rajonal të Shkodrës.
“Është kënaqësi që qytetarëve të Shkodrës dhe gjithë veriut, i shtohet një shërbim shumë i rëndësishëm, – rezonanca magnetike – që do të lehtësojë jetën e qytetarëve, të cilët kanë nevojë për këtë shërbim, që ta kenë në derën e shtëpisë dhe sigurisht pa shpenzimet e udhëtimit, të qëndrimit dhe të pritjes,” u shpreh Deputetja e PS-së, znj. Mimoza Hafizi, duke shtuar se “kjo lehtëson edhe kohën e pritjes për të kryer këtë shërbim, kështu që ky është një gëzim i madh që deshëm ta ndajmë me qytetarët”.
Me këtë investim të rëndësishëm të buxhetit të shtetit, prej rreth 95 milionë lekësh, Ministri Beqaj tha midis të tjerash se me rezonancën magnetike plotësojmë shërbimin e imazherisë në Spitalin Rajonal të Shkodrës duke i shërbyer më shpejt qytetarëve.
“Besoj se kjo pajisje do t’i shërbejë që nga java e ardhshme, në fakt jo vetëm banorëve të qarkut të Shkodrës, por edhe qarkut të Kukësit dhe të qarkut të Lezhës,” – tha më tej kreu i shëndetësisë, duke shtuar se “është ndihmë edhe për vetë mjekët, bëjnë diagnoza më të shpejta, më të sakta, japin terapi më efektive, na ndihmon në rastet kur duhet të përcaktojmë më saktë rastet e urgjencës, dhe besoj se ajo çfarë kemi filluar të bëjmë dhe po realizojmë në shëndetësi, e plotëson më së miri ajo çfarë po bëjmë në Spitalin Rajonal të Shkodrës”.
Spitali rajonal i Shkodrës është duke u shndërruar në një model të ri të shërbimit mjekësor, modern e bashkëkohor, tërësisht i shndërruar, falë investimeve të shumta të bëra në dy vitet e fundit. 5 milionë dollarë janë investimet e realizuara deri tani, si dhe ato të parashikuara së shpejti, kryesisht nga buxheti i shtetit, me financime të huaja dhe nga partneriteti publik-privat, të cilat e plotësojnë funksionimin e spitalit rajonal të Shkodrës dhe e bëjnë një nga qendrat më të rëndësishme të veriut të Shqipërisë, por edhe në të gjithë vendin.