Rrëfimi i Albanos, ja çfarë duhet të dish mbi depresionin, BPD dhe bipolaritetin

Albano Bogdo ka folur për sfidat e tij me ankthin në podkastin “Garage Lock” me Renis Gjokën dhe Eugent Bushpepa. Albano tregoi se për 3 javë, kur thirrej emri i tij në skenë, nuk drejtohej për nga skena, por nga spitali, për shkak të sulmeve të panikut që përjetonte.

“Më çoi Turi te “5-sa” (Spitali Nr.5), më çoi një herë te një psikologe, ajo e kuptoi që nuk kisha lidhje fare dhe e kuptoi që duheshin ilaçe. I tha Turit që duhet ta çosh te një psikiatër. Të nesërmen Turi më thotë që do të shkojmë tek 5-sa. Herën e parë doktori më ka vizituar te makina e Turit. I thosha të shkoj aty brenda të më mbyllin, e di që s’do më lini të dal. Isha vërtet keq dhe dyshoja se do më mbyllnin brenda me stil”.

Albano tha se kishte depresion të thelluar, bipolaretit dhe BPD (çrregullimi i personalitetit kufitar), të kombinuara, që i jepnin sulmet e panikut dhe ankth.

Tani, le të kuptojmë secilën nga këto diagnoza.

Së pari, ç’është sulmi i panikut?

Sulmi i panikut është një ndjenjë e fortë frike dhe ankthi. Shpesh ndodh nëse njerëzit ndihen të shqetësuar për diçka që po ndodh në jetën e tyre ose kanë përjetuar diçka të vështirë ose stresuese. Këto sulme mund të ndihen të frikshme, por zakonisht ndalojnë pas trajtimeve, që zakonisht janë ilaçe dhe më pas, kura bimore.

Simptomat:

Ndjesia e rrezikut të afërt

Frika nga humbja e kontrollit ose vdekjes

Shpejtësia e rrahjeve të zemrës (aritmi)

Djersitje

Gulçim ose shtrëngim në fyt

Dhimbje barku

Dhimbje gjoksi

Mpirje ose ndjesi shpimi gjilpërash

Ndjenja e shkëputjes.

Shkaqet:

Gjenetika

Stresi

Persona më të prirur ndaj emocioneve negative

Ndryshime të caktuara në mënyrën e funksionimit të trurit

Depresioni

Depresioni është shumë më larg se një trishtim, shqetësim ose vuajtje normale: Kemi të bëjmë me një sëmundje që përfshin shenja dhe simptoma që zgjasin për një kohë relativisht të gjatë.

Shenja dhe simptoma të zakonshme të depresionit janë:

Gjendja vazhdimisht trishtuese, ankthioze ose boshe

Humbja e interesit në aktivitete që dikur ishin interesante apo të kënaqshme

Humbje e libidos

Lodhja e pazakontë

Niveli i ulët i energjisë

Humbja e oreksit (me humbje peshe)/ ngrënie e vazhdueshme (me shtim në peshë)

Ndryshime me gjumin

Humbja e shprehjes emocionale

Ndjenjat e mungesës së shpresës, pesimizëm

Mendimi se je i/e pavlefshëm/me

Mosprezenca sociale

Problemet me përqendrimin, kujtesën apo marrjen e vendimeve

Nervozizmi ose irritimi i pazakontë

Mendimet rreth vdekjes, vetëvrasjes

Përpjekjet për vetëvrasje ose dëmtim të vetes.

Depresioni shoqërohet nga ankthi dhe lidhet me probleme të ndryshme dhe të rëndësishme me shoqërinë, familjen, punën, apo prirjes drejt emocioneve negative.

Simptomat fizike që lidhen me depresionin janë:

Reduktimi i oreksit dhe humbja e peshës/ Shtimi në peshë

Humbja e interesit seksual

Dhimbje koke

Marramendje

Problemet me zemrën

Problemet me frymëmarrjen

Dhimbje shpine dhe barku

Problemet me stomakun

BPD (Çrregullimi i personalitetit kufitar)

Çrregullimi i personalitetit kufitar (BPD) është një çrregullim mendor i cili zhvillohet gjatë adoleshencës ose në moshë madhore të hershme. Çrregullimi karakterizohet nga një model i paqëndrueshmërisë emocionale, sjelljeve impulsive, imazhit të shtrembëruar për veten dhe marrëdhënieve të paqëndrueshme.

Çfarë e shkakton BPD?

Studiuesit janë ende duke u përpjekur të mësojnë shkakun e saktë të BPD. Faktorë të shumtë mund të kontribuojnë në çrregullim, duke përfshirë gjenetikën, faktorët mjedisorë dhe anomalitë e serotoninës.
Rritja në një mjedis të paqëndrueshëm, abuziv ose neglizhues mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të BPD.
Serotonina është një hormon që ndihmon në rregullimin e humorit. Anomalitë në prodhimin e serotoninës mund t’ju bëjnë të ndjeshëm ndaj BPD.

Simptomat dhe diagnoza e BPD

Sipas Manualit Diagnostik dhe Statistikor të Çrregullimeve Mendore të Shoqatës Amerikane të Psikiatrisë (DSM), kriteret e mëposhtme janë të gjitha shenja dhe simptoma të BPD.

Shmangia e vazhdueshme e braktisjes (reale ose imagjinare)

Të pasurit modele marrëdhëniesh të paqëndrueshme

Të kesh një imazh të gabuar për veten dhe një identitet të paqëndrueshëm

Veprime impulsive në të paktën dy fusha të jetës të cilat shkaktojnë dëme

Historik të sjelljeve të rrezikshme (vetëdëmtim ose tentativa vetëvrasjeje)

Luhatjet e shpeshta të humorit

Ndjenja të rënda dhe afatgjate të zbrazëtisë

Vështirësi në kontrollin e zemërimit ose zemërim pa shkak gjatë gjithë kohës

Zënka të shpeshta, edhe fizike

Periudha paranoje të lidhura me stresin.

Bipolariteti:

Shumica e njerëzve kanë ulje-ngritje emocionale herë pas here, por nëse keni një gjendje të trurit të quajtur çrregullim bipolar, ndjenjat mund të arrijnë nivele ekstremisht të larta ose të ulëta. Ndonjëherë mund të ndiheni jashtëzakonisht të emocionuar ose energjik. Herë të tjera, mund ta gjeni veten në depresion të thellë.

Ekzistojnë katër lloje themelore të çrregullimit bipolar:

çrregullim bipolar 1

çrregullim bipolar 2

çrregullim ciklotimik (ciklotimia)

çrregullime të tjera bipolare të specifikuara dhe të paspecifikuara

Bipolar 1 vs bipolar 2

Të gjitha llojet e çrregullimeve bipolare karakterizohen nga episode të humorit ekstrem që njihen si episode të manisë. Uljet njihen si episode depresive. Dallimi kryesor midis çrregullimeve bipolare 1 dhe 2 qëndron në ashpërsinë e episodeve të manisë të shkaktuara nga secili lloj.

Një person me çrregullimin bipolar 1 do të përjetojë një episod të plotë të manisë, ndërsa një person me çrregullimin bipolar 2 do të përjetojë vetëm një episod hipomanik (një periudhë që është më pak e rëndë se një episod i plotë maniak). Një person me çrregullimin bipolar 1 mund ose nuk mund të përjetojë një episod depresiv madhor, ndërsa një person me çrregullimin bipolar 2 do të përjetojë një episod depresiv madhor.

Cilat janë simptomat e çrregullimit bipolar?

Çrregullimi bipolar 1 shkakton mani dhe mund të shkaktojë depresion, ndërsa çrregullimi bipolar 2 shkakton hipomani dhe depresion.

Mania

Një episod i tillë është më shumë se thjesht një ndjenjë gëzimi, energjie e lartë ose shpërqendrimi. Gjatë një episodi të manisë, mania është aq intensive sa mund të ndërhyjë në aktivitetet e përditshme. Njerëzit që janë në këtë fazë të çrregullimit bipolar mund të marrin disa vendime shumë të paarsyeshme, të tilla si shpenzimi i shumave të mëdha të parave që nuk mund t’i përballojnë t’i shpenzojnë. Ata gjithashtu mund të përfshihen në sjellje me rrezik të lartë, të tilla si pakujdesia seksuale pavarësisht se janë në një marrëdhënie të përkushtuar.

Hipomania

Një episod hipomanik është një periudhë që është më pak e rëndë se një episod i manisë së plotë. Megjithëse më pak e rëndë, një fazë hipomanike është ende një ngjarje në të cilën sjellja ndryshon nga gjendja normale.

SHKARKO APP