Sallami, proshuta dhe salsiçet i shkurtojnë jetën njeriut
Një studim i fundit zbulon se nëse në ushqimin tuaj keni për së tepërmi mish të përpunuar, respektivisht produkte si proshutë, sallame dhe salsiçe – kjo mund t’ju çojë në vdekje para kohe.
Analiza ka përfshirë ushqimet e gati gjysmë milioni meshkujve dhe femrave, të cilët janë sëmurë dhe kanë vdekur nga kanceri dhe sëmundjet e zemrës.
Hulumtimi i kryer në Evropë ka treguar që produktet e mishit janë fajtore për një nga 30 vdekje, transmeton Koha.net.
Pikërisht për shkak të kësaj, ekspertët kanë propozuar që njerëzit në ushqimin e tyre të përditshëm të kufizohen në 20 gramë të produkteve të përpunuara të mishit në ditë, përcjell “Daily Mail”.
Publikimi i rezultatit të këtij hulumtimi përkon me skandalin e lidhur me mishin e kalit, i cili ka përfshirë gati tërë Evropën, ku një numër i madh i konsumatorëve pyetet se cila është prejardhja e ushqimit që e hanë.
Kur janë në pyetje produktet e mishit, e rëndësishme është të theksohet që ato përmbajnë koncentrim të lartë të yndyrave, dhe kjo kërcënon bllokimin e artereve nëse i konsumoni.