Sekreti i dietave, proteina me bazë bimore

Një amerikan mesatar ha shumë mish, sidomos mish të kuq. Mishi përmban sasi të mëdhe proteine, por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Carol Pearson, në qoftë se dëshironi të keni një jetë të gjatë dhe të shëndetshme, duhet të hani më shumë proteinë me bazë bimore:

Nuk ka dyshim se amerikanëve u përlqen shumë hamburgeri, por një studimi i ri tregon se ata duhet ta pëlqejnë atë më pak.

Dr. Mingyang Song dhe Andrew Chan, nga Spitali i Përgjithshëm i Masaçusetsit dhe Universiteti i Harvardit, ishin në mesin e atyre që analizuan se si proteina shtazore dhe ajo bimore ndikojnë tek shëndeti i njeriut. Ata studiuan të dhënat nga dy studime të mëdha, afatgjata që përfshinë më shumë se 130.000 pjesëmarrës. Studiuesit mblodhën informacion mbi dietën e pjesëmarrësve, mënyrën e tyre të jetesës dhe shëndetin e tyre, dhe pas një analize të plotë të tyre arritën në këtë përfundim:

“Individët që konsumuan sasi më të lartë të proteinës shtazore kishin një rrezik disi më të lartë të vdekshmërisë, në veçanti, të vdekshmërisë nga sëmundjet kardiovaskulare”, – thotë Dr. Andrew Chan nga Spitali i Përgjithshëm i Masaçusetsit

“Dhe kjo lidhje është më e fortë në mesin e njerëzve me faktorë të pashëndetshëm jetese”, thotë Dr. Minyang Song nga Spitali i Përgjithshëm i Masaçusetsit

Proteina ndihmon në ndërtimin dhe riparimin muskujve dhe kockave. Kjo është thelbësore. Por mishi i kuq, në veçanti, ka një nivel të lartë të kolesterolit, një faktor rreziku për sëmundjet e zemrës. Studiuesit zbuluan se problemet kardiovaskulare ishin më të larta në mesin e njerëzve të cilët jo vetëm që hanin mish, por edhe pinin shumë duhan dhe alkool, ishin obez dhe rrinin ulur.

Ata gjithashtu gjetën se njerëzit të cilët zëvendësuan proteinat shtazore me ato bimore reduktuan rrezikun e vdekjes së parakohshme.

Dr. Andrew Chan, Spitali i Përgjithshëm i Masaçusetsit:

“Është e qartë se nga këndvështrimi afatgjatë, një dietë e bazuar kryesisht në proteinat me bazë bimore ka prirje të jetë më e favorshme për jetëgjatësinë se sa konsumimi i nivelit më të madh të proteinave me bazë shtazore.”

Studimi u publikua në revistën mjekësore “JAMA Internal Medicine”.

SHKARKO APP