Sëmundshmëria e shqiptarëve
Kur është mbushur një vit nga fillimi i “chek-up”-it duket se ka dalë në pah sëmundshmëria e popullatës së moshës 40-65 vjeç.
Diabeti, hipertensioni, problemet kardiake dhe jo më pak sëmundjet tumorale janë evidentuar në përqindje të lartë tek kjo grupmoshë, shumë prej të cilëve e mësuan për herë të parë se ishin të sëmurë.
Ilir Beqja, ministër i Shëndetësisë, tha: “Është zbuluar një shkallë jo e vogël e njerëzve që nuk e dinin që ishin të sëmurë. Kemi zbuluar se 4% e popullsisë është paradiabetike. Nuk e shmangim dot kalimin në diabetin e tipit të dytë, por sa më shumë ta shtyjmë, aq më mirë është për qytetarin”.
Por, sëmundshmëria në popullatë përllogaritet të jetë më e lartë, pasi “chek-up”-i vijon dhe në qendrat shëndetësore gjen çdo ditë qytetarë të interesuar të mësojnë mbi shëndetin e tyre, aq më tepër kur është falas. Ata që përdorin internetin mund t’i marrin përgjigjet e analizave edhe “online”, në portalin e shërbimeve qeveritare dixhitale “E-Albania”.
“Qytetarët duhet të kenë një llogari në këtë portal. Kërkon te e-shërbimet dhe shkon te kontrolli mjekësor bazë“, shpjegon Beqja.
Me programin 10-vjeçar të “chek up”-it, duke parandaluar por dhe duke kuruar shpejt në kohë, përllogaritet të shpëtohen 450 jetë njerëzish dhe të kursehen 125 milionë dollarë.