Shëndeti i gjirit varet nga ty
Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, Ambasadori i SHBA në Tiranë, z. Donald Lu, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj, zonja deputetete të Kuvendit të Shqipërisë dhe përfaqësues të shoqërisë civile i’u bashkuan sot (16/10/2015) nismës për "Ecjen e 7-të Vjetore Kundër Kancerit të Gjirit", në kuadër të fushatës për informimin dhe ndërgjegjësimin e grave për zbulimin e hershëm të kësaj sëmundjeje, që përkon edhe me Javët e e Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit.
Edhe këtë tetor, për të shtatin vit radhazi, shoqata “YWCA of Albannia”, në bashkëpunim me një numër partnerësh tradicionalë, zhvillon fushatën për informimin dhe ndërgjegjësimin e grave e të vajzave për parandalimin e kancerit të gjirit, nën moton: SHËNDETI I GJIRIT VARET NGA TY – NJË GJEST I THJESHTË TË SHPËTON JETËN!
Pjesëmarrësit në ecjen simbolike, të bërë tradicionale tashmë, përgjatë segmentit të këmbësores nga Sheshi i Gardës deri te kryqëzimi i parë i Parkut të Liqenit, bën thirrje për rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit.
Në vijim, fjala e plotë e Ministrit Beqaj në këtë aktivitet.
—###—
Së pari, unë dua të falënderoj organizatorët, për konsolidimin tashmë të kësaj tradite, pasi është viti i 7-të, që brenda aktiviteteve që organizohen në Tetor, që është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, organizohet ky marshim, i cili është një tjetër mundësi për t’i bërë thirrje shoqërisë, për angazhime të përbashkëta, për t’u marrë me këtë çështje, që praktikisht është në një barrë të rëndë për shëndetin publik, për sëmundshmërinë në Shqipëri, me barrë shkurtimin e jetës së shëndetshme, por padyshim praktikisht edhe si një barrë për shoqërinë, për përballimin e kostove financiare, që rrjedhin nga trajtimi i këtyre sëmundjeve, por sidomos edhe nga pasojat ekonomike dhe sociale.
Sepse. praktikisht, një sëmundje e tillë, duke prekur gruan, prek familjen, prek nënën dhe sigurisht rrezikon apo kufizon vazhdimësinë e jetës.
Në këto 2 vjet edhe ne, si Ministri Shëndetësie, në kuadrin e Programit të Qeverisë, kemi bërë përpjekjet tona, për të zgjeruar kujdesin për këtë sëmundje, por përgjithësisht, për të gjithë sëmundjet tumorale, në gjithë spektrin e tyre: Në promocion, në parandalim, dhe besoj se tashmë këtë vit, i ofrojmë më shumë mundësi grave që të mund të bëjnë një kontroll parandalues për kancerin e gjirit dhe sidomos në zonat më të largëta të Shqipërisë, ku deri vjet, ky shërbim nuk ofrohej. Janë kontrolle parandaluese, që bëhen për këdo dhe bëhen pa pagesë.
Kemi një kujdes të shtuar, edhe për të furnizuar më mirë shërbimin onkologjik në QSUT, edhe pse duhet ta pranojmë, se ende ai nuk i plotëson të gjitha nevojat që janë në atë spital. Por, të paktën këto ditë, jemi duke përfunduar vënien në punë, të një pajisjeje shumë të rëndësishme për radioterapinë – është një Akselerator Linear Modern, i cili duke zgjeruar kapacitetet me trajtim radioterapisë, plotëson kirurgjinë, radioterapinë dhe kimioterapinë.
Sigurisht, që kemi filluar ta ofrojmë shërbimin e kimioterapisë edhe në qytete jashtë Tirane, në mënyrë që grave të sëmurave apo të sëmurëve, përveç barrës së sëmundjes, t’u heqim edhe mundimin, që njëherë në muaj duhet të vijnë të udhëtojnë për në Tiranë.
Dhe besoj, se edhe me zbatimin tashmë të ligjit “Për kujdesin paliativ”, ne kemi mundësi të ofrojmë një gamë më të plotë, megjithatë po ju them, kjo është prapë një fokusim tek sëmundja.
Unë besoj se sfidat që ka sot sistemi ynë i kujdesit shëndetësor, nuk mund t’i përballojmë, në qoftë se gjithmonë e më shumë nuk spostohemi nga sëmundja tek shëndeti, nuk spostohemi nga pacienti tek qytetari apo qytetarja.
Prandaj, unë edhe njëherë ju bëj thirrje, që të gjitha grave, të kenë sa më shumë kontakte me mjekët e familjes, pasi mjekët e familjes kanë sot njohuritë e domosdoshme për të bërë një këshillim të parë.
I ftoj gratë që të marrin edhe këshillim për këtë punë, në mënyrë që të shtojnë edhe vetë përpjekjet për vetëkontroll, në mënyrë që ta zbulojnë sa më herët, në mënyrë që të kemi edhe një shkallë sa më të lartë parandalimi.
Nuk dua të zgjatem edhe më shumë, por dua t’ju falenderoj edhe njëherë për organizimin e këtij aktiviteti, për përpjekjet e vazhdueshme që të bëni gjatë gjithë muajve tetor vit pas viti.
Dhe sigurisht, t’ju ftoj ta kthejmë këtë përpjekje në një sfidë të përditshme.
Faleminderit!