Shërbim telemjekësie dhe pajisje të reja mjekësore për Spitalin e Kukësit
Qytetarët e Kukësit përfitojnë tashmë kujdes shëndetësor më të mirë, falë shërbimit të telemjekësisë dhe kapaciteteve të përmirësuara pas instalimit të pajisjeve të reja, ku përfshihen EKG-ja, aspiratorët dhe ECHO zemre në urgjencën e spitalit rajonal. Lajmi u bë i ditur gjatë vizitës ditën e premte (25/4/2015) të Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në Spitalin Rajonal të Kukësit.
Banorëve të qytetit verior nuk do të duhet tanimë që për trauma apo ndërhyrje të ndryshme të marrin rrugën drejt Tiranës. Nëpërmjet telemjekësisë, e cila mundëson një konsultë më të specializuar në kohë reale nga ekipet mjekësore të QSUT do të kursehen kohë dhe shpenzime të tepërta. Shërbimi i Telemjeksisë ofron shërbimin mjeksorë, diagnostikues dhe kurues nëpërmjet mjeteve të telekomunikimit, kur përfituesi i shërbimit ndodhen në distancë.
Sipas Ministrit Beqaj, qytetarët e Kukësit do të kenë mundësi të përfitojnë shërbim të specializuar mjekësor pa qenë nevoja të udhëtojnë drejt qendrave universitare spitalore të Tiranës, duke kursyer kohën e çmuar dhe shpenzimin e panevojshëm të mjeteve financiare për këtë qëllim.
Gjithashtu, kreu i shëndetësisë pati rastin të vizitojë edhe kabinetin e ri diagnostikues të Urgjencës së këtij spitali, ku pa nga afër pajisjet e porsainstaluara diagnostikuese, falë një bashkëpunimi të Ministrisë së Shëndetësisë dhe agjencisë turke për zhvillim, TIKA.
“Tashmë ne kemi përmbyllur ngritjen e sistemit të telemjekësisë në spitalet rajonale, por këtu është i veçantë përdorimi i një njësie mobile, përmes të cilës direkt nga ambjentet e urgjencës mund të përcjellim në Tiranë imazhet për një ekzaminim sa më të shpejtë, për të zgjedhur terapitë apo për të mundësuar dërgimin e pacientëve në kryeqytet. Ndërkohë, edhe në shërbimin e urgjencës disa pajisje të domosdoshme janë në dispozicion, qoftë monitori, aspiratori, pajisje për prodhimin e oksigjenit, në mënyrë që në problemin e parë të konstatuar të jemi të gatshëm”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Shërbimi i telemjekësisë ofron trajtim mjekësor, diagnostikues dhe kurues nëpërmjet mjeteve të telekomunikimit, kur përfituesi i shërbimit ndodhet në distancë. Telemjekësia është instaluar në të gjitha spiatalet rajonale të vendit, në bashkëpunim me USAID. Ndërsa pajisja e urgjencës me aparatura të reja u mundësua në bashkëpunim me Agjencinë Turke për Zhvillim.