Shkencëtarët eksperimentojnë ilaçin kundër kancerit të mushkërisë

Shkencëtarët australianë kanë eksperimentuar me sukses një ilaç që ndal avancimin e kancerit në mushkëri, pa qenë nevoja që pacientët t’i nënshtrohen kimioterapisë. Bëhet fjalë për një medikament që ka për bazë antikorpin Pembrolizumab, që dëmton mekanizmat mbrojtës të qelizave kancerogjene dhe i krijon mundësi sistemit imunitar tek pacientët t’i shkatërrojnë përfundimisht këto qeliza.

Antikorpi Pembrolizumab përdoret aktualisht edhe në kurimin e melanomës, kancerit të lëkurës dhe ka qenë mjaft rezultativ sipas mjekëve.
Koordinatorja e studimit, mjekja onkologe australiane Rina Hui thotë se ilaçi dha rezultate mjaft të mira tek shumica e pacientëve që iu nënshtruan eksperimentit.
Tek disa prej tyre, tumoret kishin avancuar aq shumë sa veç mushkrive, kishin prekur edhe organet e tjera.
Por medikamenti eksperimental kishte ndaluar përparimin e mëtejshëm të kancerit. Shkencëtarët arritën në përfundimin se në 70% të rasteve, jetëgjatësia e pacientëve mund të shtohet me të paktën 12 muaj, pa përdorur kimioterapinë. Shkencëtarët thonë se ende nuk mund të flitet për nxjerrjen në treg të këtij ilaçi, që megjithatë është mjaft shpresëdhënës për pacientët.
Kanceri në mushkëri konsiderohet si një prej më të vështirëve për t’u kuruar nga kimioterapia dhe si një prej shkaktarëve kryesorë të vdekjeve mes llojeve të tjera të tumoreve.

SHKARKO APP