Shkencëtarët thirrje adoleshentëve: ‘Stop pijeve energjike!’
Pijet energjike, janë një prej produkteve me rritjen më të shpejtë në tregun botëror. Tregu botëror është parashikuar të rritet në 84.8 miliardë dollarë deri në vitin 2025, sipas një raporti nga firma këshilluese e biznesit, Grand View Research. Pijet energjike, ose ato me multivitamina, janë ndër produktet më të kërkuara dietike të konsumuara nga adoleshentët dhe të rinjtë, mes moshës 18 dhe 34 vjeç.
Këto pije ofrojnë premtimin e rritjes së energjisë mendore dhe fizike së bashku me performancën në rritje, duke i bërë këto pije shumë tërheqëse për të rinjtë. Përbërësi kryesor në këto pije është kafeina. I njohur për rritjen e vigjilencës mentale, ky stimulues është droga më e konsumuar gjerësisht në SHBA. Gjetur në produkte si çokollata, kafeja dhe çaji, kafeina shpesh mendohet si një ilaç i padëmshëm. Dhe kjo mund të jetë e vërtetë nëse konsumohet me moderim, por këto pije energjetike përmbajnë kafeinë në nivele tepër të larta.
Sipas Akademisë Amerikane të Pediatrisë, fëmijët ndërmjet moshës 12 dhe 18 vjeç, nuk duhet të konsumojnë më shumë se 100 mg (një filxhan kafe) në ditë. Përveç kësaj, Akademia rekomandon që fëmijët të largohen nga pijet energjike krejtësisht. Për fat të keq, të rinjtë nuk i kushtojnë vëmendje kësaj këshille, pasi studimet tregojnë se 83 për qind e adoleshentëve pinë pije të pasura me kafeinë rregullisht, dhe rreth 96 për qind i konsumojnë ato herë pas here.
Kafeina nuk është e vetmja substancë në pije energjike që dëmtojnë konsumatorët. Nëse lexoni etiketën, do të gjeni gjithashtu vitamina B, xhensen, ekstrakte çaji jeshil dhe taurinë, dhe të gjithë induktorët e njohur të energjisë. Për shkak të shijes së hidhur të kafeinës, shpesh u shtohet shumë sheqer këtyre pijeve për t’i dhënë një shije të ëmbël. Pra, së bashku me një rritje të energjisë, fëmijët mund të marrin një sheqer të lartë, i cili për ironi mund të çojë në një përplasje sheqeri.
Ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz kujdesen për marrjen e kalorive, versionet pa sheqer të këtyre pijeve energjike po bëhen gjithnjë e më popullore, përfshirë edhe adoleshentët. Shumë fëmijë raportojnë se i pinë ato si produkt shtesë për humbje peshe.
Për shkak se këto pije kanë mbingarkuar tregun, adoleshentët kanë shumë alternativa për të zgjedhur dhe nuk duhet të shkojnë larg për t’i gjetur, pasi gjenden në çdo supermarket. Por, nuk duhet anashkaluar dhe fakti se kompanitë që prodhojnë pije energjike bëjnë një punë fantastike, me marketingun e pijeve të tyre për të rinjtë.
Kompanitë e këtyre pijeve madje kanë personalitete sportive që mbështesin produktet e tyre, duke u dhënë atyre fasadën e të qenit një pije “e shëndetshme” që ju bën mirë.
Por cilat janë rreziqet e lidhura me pijet energjike?
Në një studim nga Universiteti Chapman, 40 për qind e adoleshentëve kanë raportuar një efekt të kundërt, ndërsa konsumojnë pije energjike. Shpeshherë, ata ndjenin dhimbje barku, vështirësi të frymëmarrjes, dhimbje gjoksi, probleme gastrointestinale të tilla si të përziera, të vjella dhe diarre, dhimbje koke apo të zemrës, pagjumësi si dhe dridhje për shkak të ankthit.
Studiuesit, gjithashtu zbuluan se rreth 15 për qind e adoleshentëve përzienin pijen e tyre të energjisë me alkool dhe rreth 9 për qind konsumonin pijen energjike me barna të tjera si kokaina dhe metamfetamina. Pirja e pijeve të energjisë, vetëm, ka disa efekte të rënda anësore, por duke shtuar drogë dhe alkool në përzierje mund të jetë një kombinim i rrezikshëm dhe potencialisht vdekjeprurës.
/ SCAN