Shqipëria e 13 në Europë për duhanpirjen

Shqipëria renditet e 13 në Europë përsa i takon duhanpirjes. Kjo bëhet e ditur nga raporti më i fundit i OBSH-së, sipas të cilit prevalenca ditore e duhanpirjes për të rriturit është 24 për qind.

Në raport theksohet se “Shqipëria është një prej vendeve që ka arritje për sa i përket ndalimit dhe reklamimit të produkteve të duhanit. Edhe promovimi i duhanit nuk bëhet, gjë që e rendit pozitivisht vendin tonë në këtë aspekt”.

Në raport thuhet gjithashtu, se Shqipëria është një prej 29 vendeve, ku është ndalur promovimi dhe reklamimi i duhanit.

Veç kësaj theksohet se legjislacioni me qëllim mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit është forcuar.

Për sa i përket suksesit të vendit tonë në luftën kundër duhanit,me fushatat sensibilizuese
thuhet se viti 2006 shënon një tjetër kthesë për ndalimin e duhanit.

Në raport shtohet se ky ishte viti i parë, kur në Shqipëri nisi të zbatohej ligji, edhe pse nuk ishte efikas. Një në katër vdekje në Shqipëri i atribuohet duhanit.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, 30 për qind e meshkujve nga mosha 30 në 44 vjeç vdesin nga duhani, ndërkohë grup mosha 45-59 ka edhe një përqindje më të lartë, 42 për qind.

Ndërkohë, 20 për qind e vdekjeve nga sëmundjet e zemrës i atribuohen duhanit. Ky i fundit sjell 18 për qind të vdekjeve si pasojë e sëmundjeve që shkakton, të cilat pothuajse në të gjitha rastet janë fatale për jetën. Ndryshe nga vite më parë, kur meshkujt përbënin numrin më të madh të duhanpirësve, kjo tashmë duket në rënie.

Meshkujt janë të ndërgjegjësuar për rreziqet e tij, por femrat e neglizhojnë këtë fakt. Numri i tyre, si përdoruese të duhanit po rritet dita-ditës dhe mund të kalojë edhe numrin e burrave.

SHKARKO APP