Shumica e njerëzve përjetojnë disa nga këto simptoma përpara një sulmi në zemër
Një sulm në zemër mund të jetë i frikshëm, por nëse i mësoni shenjat dhe hapat që duhet të ndërmerrni, mund të shpëtoni jetë, duke përfshirë edhe tuajën.
Sipas mjekëve, shumica e njerëzve që përjetojnë një atak në zemër fillimisht përjetojnë disa nga simptomat e renditura më poshtë:
Dhimbje gjoksi
Dhimbja në gjoks është një shenjë e zakonshme e një ataku kardiak. Mund të jetë pasojë e bllokimit ose uljes së qarkullimit të gjakut në zemër, por edhe një shenjë paralajmëruese se mund të ndodhë një atak në zemër. Kardiologu Jeffrey Chambers shpjegoi se është një dhimbje që mund të shfaqet papritur dhe më pas të zhduket. Nëse dhimbja bëhet e vazhdueshme, kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore. Nëse keni dhimbje të vazhdueshme në gjoks për disa ditë, javë ose muaj, nuk ka gjasa që shkaku të jetë një atak në zemër.
Lodhje
Lodhja e pazakontë mund të jetë një tjetër shenjë e një ataku në zemër, veçanërisht nëse ndodh së bashku me dhimbje gjoksi. Rreth dy në tre persona që kanë një atak në zemër përjetojnë dhimbje gjoksi, gulçim ose lodhje në ditët ose javët para sulmit.
Frymëmarrje
Mungesa e frymëmarrjes mund të jetë shenjë e një ataku në zemër, thonë ekspertët. Shpesh vjen me shtrëngim në gjoks, por mund të shfaqet edhe përpara kësaj simptome.
Dhimbje në trup
Gjatë një sulmi në zemër, dhimbja nga qendra e gjoksit mund të përhapet në shpinë, nofull ose krahë. Ndonjëherë ndihet dhimbje në zonën e stomakut, e cila mund të ngatërrohet me dispepsi (dhimbje në pjesën e sipërme të barkut). Zakonisht është më e fortë, më e gjatë dhe nuk largohet pas pushimit ose marrjes së një qetësuesi.
Nauza
Të përzierat dhe të vjellat e pashpjeguara nuk duhet të injorohen kurrë. Nëse zgjoheni të zhytur në djersë të ftohtë, me një ndjenjë të përzier dhe të vjella, këto mund të jenë simptoma të gripit, por edhe të një ataku të heshtur në zemër. Nëse instinkti juaj ju thotë se është diçka serioze, dëgjoni dhe konsultohuni me një mjek.