Si kryhet Kontrolli Mjekësor Bazë – Check Up?
Prej shkurtit të vitit 2015, shqiptarët e një grupmoshe të caktuar, kanë përfituar shërbimin e kontrollit shëndetësor falas, një herë në vit. Qytetarët, mund të drejtohen në Qendrën e tyre Shëndetësore pranë vendbanimit, për të bërë kontrollin shëndetësor bazë, pa pagesë.
Në zona të caktuara të vendit, në qendrat shëndetësore të identifikuara me probleme infrastrukturore dhe që bllokohen nga bora, procesi i kontrollit shëndetësor baze kryhet me asistencen e njesive levizëse.
Ja si të bësh Check-Up në Tiranë!
Nëse ti nuk e ke bërë ende kontrollin shëndetësor falas, “SI JE”, duhet të kontaktosh me mjekun e familjes, i cili të drejton pranë Qendrës Shëndetësore të njësisë ku banon. Atje duhet të shkosh paraprakisht, për të lënë një ditë të caktuar, orarin si edhe për të marrë dy kontenitorë për analizat.
Ditën e analizave, duhet të shkosh në orarin e caktuar, pranë Qendrës tënde Shëndetësore. Duhet të jesh pa ngrënë, pa pirë kafe dhe të kesh një mjet identifikimi.
Në Qendrën Shëndetësore, ku do të kryesh Check-Up, paraprakisht dorëzon kontenitorët, më pas të marren të dhënat, e infermierët të bëjnë matjet e parametrave trupore. Për të vazhduar me pyetësorin, mbi mënyrën tënde të ushqyerjes dhe shëndetit mendor. Në fund të bëhet EKG. Të dhënat tuaja dhe analizat dërgohen në laborator për t’u ekzaminuar. Pasi mbaroni procedurën e kontrollit në Qendrën Shëndetësore, përgjigjet e analizave i merr pas dy javësh. Është mjeku i familjes i cili ju komunikon rezultatet.
Suzana Kola, infermiere në Qendrën Shëndetësore numër 8, Tiranë, thotë se numri i njerëzve që bëjnë kontrollet falas, ka ardhur duke u rritur.
“Këtë vit ka më shumë fluks, shumica vijnë çift dhe janë kryesisht mosha 50 vjeç. Pjesa dërrmuese kanë ardhur nga kureshtja për të parë se cila është gjendja e tyre shëndetësore dhe kanë mbetur të kënaqur nga ky Check Up.”
Orari i disponueshëm për kryerjen e kontrollit është 8:00 e mëngjesit me 12:00 të drekës, më pas puna vazhdon me hedhjen dhe dërgimin e të dhënave në sistem. Sipas infermierëve, koha e nevojshme për çdo person llogaritet 30 minuta. Në Qendrën Shëndetësore numër 8, numri normal i njerëzve në ditë varion, nga tetë në dhjetë.
Si është procesi i punës që ndiqet për një qytetar që vjen për të bërë Check-Up?
Suzana- Qytetari duhet të marrë një rekomandim nga mjeku i familjes dhe me atë letër duhet të vijë e të caktojë një ditë e orar, të favorshëm për të. Kur të vijë për të bërë kontrollin, është e rëndësishme të theksohet se duhet të jetë esëll dhe me mjet identifikimi.
Në fillim ne regjistrojmë në regjistër emër, mbiemër, numrin e ID, nëse është në punë apo pension, emrin e mjekut të familjes. Pastaj matim parametrat, peshën, gjatësinë , belin, vithet, tensionin. Pas kësaj plotësojmë pyetësorin në sistem, ku pyetjet që i bëhen qytetarit kanë të bëjnë me mënyrën e ushqyerjes, shëndetin mendor, depresionin, stresin. Gjithashtu merren edhe të dhënat demografike të pacientit, sa vite ka në lagje ose për arsimin e tij, pyetet nëse ka sëmundje të caktuara, shqetësime ose nëse në familjen e tij është dikush me probleme shëndetësore.
Pasi mbarohet plotësimi i pyetësorit, bëjmë EKG. Në fund, marrim gjakun.
Të dhënat i dërgojmë në laborator, bashkë me analizat, më pas laboratori na i dërgon përgjigjet. Ne i regjistrojmë në regjistrin tonë dhe në fund ia dërgojmë mjekut të familjes, i cili ia paraqet pacientit.”
Çdo Qendër Shëndetësore kujdeset për banorët e zonës të cilën mbulon. Kushdo që vendos të bëjë Check-Up, shkon te mjeku i familjes i cili e orienton në Qendrën Shëndetësore që i takon.
I kemi të ndarë pacientët, ne kujdesemi për gjithë pacientët e Qendrës Shëndetësore numër 8. Secila infermiere i përgjigjet një numri të caktuar mjekësh, për shembull, unë i përgjigjem 8 mjekëve familjarë. Bëhet kjo ndarje që mos të ketë rrëmujë me pacientët dhe çdo gjë të jetë e organizuar, prandaj ne i pyesim që në fillim se cilin kanë mjek familjar.
Ndërkohë qytetarët, të cilët janë të prekurit e parë nga projekti, shprehen të kënaqur me shërbimin e kontrollit.
“Nëse nuk do kisha ardhur për të bërë kontrollin vitin e kaluar, unë nuk do flisja sot me ty. Kjo, pasi përmes analizës zbulova që kisha probleme të zemrës dhe menjëherë fillova mjekimin. Shërbimi është i shkëlqyer, infermieret janë të sjellshme dhe kanë qëndruar në dispozicion për çdo paqartësi që kemi pasur. Kjo është hera e dytë që unë vij, së bashku më bashkëshortin dhe jam e sigurt që do vijmë përsëri vitin tjetër.”- tregon Mira, 55 vjeçe.
“Është gjëja më e mirë që sistemi i shëndetësisë ka ndërmarrë. Ne nuk e dimë çfarë fshihet pas dyerve të politikës, por unë di të them me siguri të plotë që shërbimi është shumë profesional. Bëhet informimi i plotë i njerëzve, na pajisin me broshura dhe kontenitorë, mjetet janë të avancuara dhe komode. Dua t’i bëj një thirrje qytetarëve, që të ngrihen dhe ta bëjnë kontrollin pasi nuk humbasin asgjë, madje shpëtojnë veten.”- thotë Fadili.
Një proces i cili nuk lë vend për dyshime mbi sigurinë dhe seriozitetin e punës me të cilin punojnë mjekët, infermierët dhe laboratori për nxjerrjen e përgjigjeve. Nesër, para se të shkoni në punë apo të pini kafen e mëngjesit, shkoni dhe ju të bëni kontrollin falas, të mësoni se “SI JENI”.
Në Mat për Check-Up
Për ambulancat “SI JE”, puna, çdo ditë nis herët në mëngjes. Fillimisht vendosin në makina gjithë mjetet e nevojshme për të zhvilluar seancën e radhës së Check-Up.
Me ta nisemi edhe ne për të parë nga afër gjithë procesin.
Ora shënon 6:10 dhe ne drejtohemi për në Komunën Rukaj, Mat. Infermierja më përgatit duke më thënë se do të jetë një ditë e gjatë.
“Është dita e dytë që shkojmë në këtë fshat, kjo për arsye se një ditë më parë, pjesëmarrja ishte shumë e lartë dhe nuk arritëm t’i mbyllnim të gjithë banorët. Prandaj ne ndajmë ditët dhe i ndihmojmë duke i ardhur sa më afër e për të mos shkuar te Qendra Shëndetësore qendrore, të cilën e kanë rreth 1 orë në këmbë.”
Të thonë se në ditë të tjera janë nisur edhe më herët, pasi orari i nisjes varet nga largësia e zonave për ku drejtohen.
Në fshat arrijmë rreth orës 8:20, atmosfera është e qetë, dëgjohen vetëm disa biseda të banorëve që kanë zënë radhën për të bërë Check-Up. Ndërkohë në Qendrën Shëndetësore të Komunës, na presin Fiqiretja, Rajmonda dhe Valbona, tri infermieret. Fiqiretja dhe Rajmonda kanë ardhur nga fshati Bruc i cili ndodhet pranë, për të ndihmuar në ecurinë e procesit.
“Dje ka qenë një ditë shumë e ngarkuar, njerëzit erdhën pak a shumë në të njëjtën orë. Duke qenë se ishte dhe dita e parë për të bërë kontrollin, interesi ishte shumë i madh. I gjithë ky oborr i vogël që po shihni ju, ishte i mbushur me njerëz.”- tregon Rajmonda.
Menjëherë nis vendosja e aparaturës për të bërë EKG, nxirren dorezat, kontenitorët, shiringat për të marrë gjakun. Ndërkohë në një dhomë paralele, hapet kompjuteri, nxirret matësi i tensionit, peshorja dhe në mur janë shënuar numrat për të matur gjatësinë.
“Gjithçka është gati, mund të fillojmë.”
Me karta identiteti në duar, banorët presin radhën. Sot nuk janë shumë prandaj dhe e kanë më të lehtë të rrinë në radhë, e ndërkohë shkëmbejnë shaka me njëri-tjetrin. Disa prej tyre vijnë që prej ditës së djeshme dhe kanë sjellë kontenitorët me urinë dhe feçe. Një pjesë më e vogël, vijnë të marrin kontenitorë, pasi ambulanca e “SI JE” do të shkojë dhe një ditë të tretë në Komunë.
Të organizuar, japin mjetet e identifikimit sipas rendit dhe hyjnë në dhomat përkatëse për të kryer procedurat.
Në fillim i pret Valbona, e cila i bën matjen e gjatësisë dhe peshën, për të vazhduar me matjen e tensionit. Pastaj shkojnë te Rajmonda, për të bërë EKG, vijon Fiqiretja e cila i merr gjakun. Në fund e mbyll infermierja e “SI JE” për t’i bërë formularin mbi mënyrën e ushqimit dhe jetesës.
Situata është e qetë dhe vazhdon pa probleme, infermieret janë të trajnuara më parë nga kompania e Check-Up, për këtë arsye nuk kanë probleme në përdorimin e pajisjeve.
Por vështirësitë lidhen me ambientin, i cili nuk është në kushtet e duhura për të qenë një Qendër Shëndetësore. Hapësira është e vogël, dhe njerëzit janë të detyruar të presin jashtë ndërtesës, në këmbë.
“Ne jemi mësuar me këto kushte, nuk kemi punuar në kushte të tjera që ta dimë. Normal është e vështirë, pasi do të donim të kishim më shumë hapësirë dhe më tepër cilësi. Por mundohemi të bëjmë më të mirën tonë, me kaq mundësi sa kemi.”- shprehet Fiqiretja.
Ndërkohë banorët më thonë se e kanë për herë të parë që e bëjnë kontrollin falas, edhe pse shërbimi është ofruar edhe një vit më parë.
“Vjet nuk kanë ardhur në Komunën tonë dhe për ne ishte larg të shkonim deri në Burrel. Tani që erdhën këtu erdhëm menjëherë. Pse ta humbnim si mundësi, kur e kemi falas?! Pastaj nuk dihet si do vazhdojë e sa të sakta do jenë përgjigjet, por me çfarë kam parë, kam besim.”- thotë Hajdaniku.
“Nuk kam bërë asnjëherë më parë analiza kontrolli. Erdhën të gjithë, prandaj erdha dhe unë. Por është gjë e mirë kur shteti kujdeset për ne.”- tregon Trëndafilja, e cila ka ardhur të bëjë kontrollin për herë të parë.
“Duhet që jo vetëm vizita të bëhen falas, por ne duket të kemi dhe mjekimin falas. Jam shumë dakord që kjo është gjë shumë e mirë që po bëhet, se ne vijmë dhe kontrollojmë shëndetin në derën e shtëpisë.”- thotë Arsimi.
Ndërkohë Luljeta, i ka bërë analizat e gjakut para tri muajsh, por përsëri nuk e refuzon këtë mundësi për t’i bërë përsëri.
“I bëj shpesh këto kontrollet, shiritin e zemrës, por kurrë nuk i them jo një Check-Up, sidomos kur të vjen falas. Veçanërisht për faktin që janë komplekse dhe marzhi i gabimit unë besoj se është shumë i vogël. Të paktën personat që i kanë bërë vitin e kaluar, më kanë bindur për sigurinë e plotë të rezultateve. Por duhet që të gjithë shqiptarët të bëjnë Check-Up. Ta heqim atë zakonin e keq, që vetëm kur e ndjejmë dhimbjen në kockë, shkojmë te doktori. Duhet ta parandalojmë e tani kemi mundësinë falas dhe me profesionalitet.’’
Shpëtim Ruka, mjeku i zonës thotë se i gjithë procesi është i menaxhuar më së miri e nuk ka asnjë mangësi.
“Është një proces i shkëlqyer, ka organizim, bashkëpunim dhe profesionalizëm. Në këtë mënyrë nuk krijohen ngërçe dhe situata menaxhohet shumë mirë. Duke nisur që nga personeli i kompanisë së Check-Up, te qytetarët, infermierët, dhe komunikimi që bëjnë mjekët. Ne i kemi komunikuar banorët me telefon, i kemi dhënë informacionet për të qenë esëll kur të vijnë, të bëjnë kujdes me ushqimin dhe të kenë mjet identifikimi.
Pasi laboratori më dërgon përgjigjet, unë i analizoj, nëse ka raste alarmante, përparësi kanë këta persona të cilët i lajmërojmë të parët. Më pas ndiqet rendi, ku i thërrasim të gjithë. Është një proces i thjeshtë, por rezultatet janë komplekse dhe shumë profesionale.”
Në ndryshim nga dita e djeshme, ku u realizuan 38 kontrolle, ditën e sotme erdhën 17 banorë. Kryesisht janë mosha 50 e sipër, pa dallim femra apo meshkuj.
Kontrollet mbyllen në orën 13:00, për të ardhur përsëri të nesërmen, në mënyrë që edhe ata që nuk patën mundësitë, të vijnë të bëjnë kontrollet falas. Aparaturat vendosen përsëri në ambulancën e “SI JE”, dhe ne nisemi drejt Tiranës.
Për supervizorin, i cili është një prej shumë punonjësve të kompanisë, që ditën e nis me hënën ende në qiell, kjo eksperiencë është më tepër një kënaqësi, sesa një punë.
“Unë kisha një pagesë më të lartë, para se të vija në këtë punë. Erdha sepse më pëlqeu misioni e qëllimi me të cilin u prezantua. Dhe sidomos eksperienca që marr. Ka momente që është shumë e lodhshme, por ajo të ikën menjëherë sapo ata banoret në fshatrat që shkojmë, na japin bekimin e tyre.”
Ekipi që është çdo ditë në terren, përpos vështirësive infrastrukturore, shpesh i është dashur të përballet me njerëz skeptikë, që kanë vënë në dyshim qëllimin e mirë dhe profesionalitetin e kompanisë.
“Gjatë dimrit është vështirësia në rrugë, pasi të gjithë e dimë se si është situata e infrastrukturës sonë, sidomos në zonat e thella. Por më e vështirë është kur vijnë ata njerëz, të cilët nuk duan të bëjnë analiza, por vijnë të shajnë. Pasi ndikohen nga gjëra që dëgjojnë në televizor e bëjnë skeptikët, kur vijnë e shohin dhe kuptojnë se sa i pastër dhe i nevojshëm është gjithë procesi, stepen. Por të paktën ata nuk janë shumë. Shumë janë ata që habiten se ka edhe kështu dhe të falenderojnë duke të uruar dhe emocionuar. Kjo është e bukura e kësaj pune.”
Ja analizat që do të bëni falas, me anë të Check-Up!
Totali i testeve: 44
Biokimik – 11
Gjak komplet – 15
Urine komplet – 17
Fece Gjak okult – 1
LLOJET E ANALIZAVE QE MBULON KONTROLLI BAZE MJEKSOR:
1. Analiza e Gjakut Biokimik
2. Analiza e Gjakut Komplet
3. Analiza e Urines Komplet
4. Analiza e Fece Gjakut Okult
LLOJET E TESTEVE PER CDO ANALIZE
§ Analiza e gjakut biokimik
1. ALT – Alanine aminotransferaze
2. AST – Aspartat aminotransferaze
3. Glukoze
4. Bilirubine Direkte
5. Bilirubine Totale
6. Trigliceride
7. Kolesterol Total
8. HDL Kolesteroli (Kolesteroli I mire)
9. LDL Kolesteroli (Kolesteroli I keq)
10. Azotemi
11. Kreatinemi
§ Analiza e Urines Komplet
Ekzaminimi Kimik:
1. Densiteti
2. pH
3. Nitritet
4. Proteina
5. Glukoze
6. Ketone
7. Urobilina
8. Bilirubina
Ekzaminimi Mikroskopik:
9. Leukocite
10. Eritrocite
11. Kristale
12. Epitele povimentoze
13. Epitele renale
14. Baktere
15. Cilindra hyaline
16. Cilindra granulare
17. Filamente
§ Analiza e Gjakut Komplet
1. Leukocite
2. Eritrocite
3. Trombocite
4. Hemoglobine
5. Hematokrit
6. Volumi mesatar qelizor (MCV)
7. Hemoglobine mesatare ne eritrocit (MCH)
8. Përqendrimi mesatar I hemoglobines ne eritrocit (MCHC)
Formula leukocitare:
9. Limfocite
10. Monocite
11. Eozinofile
12. Bazofile
13. Neutrofile
Shperndarja e qelizave:
14. RDË – CV
15. RDË – SD