SIDA sot
Ka gjithnjë e më shumë suksese në luftën ndaj virusit HIV falë përmirësimit të terapive dhe medikamenteve. Por Kongresi Ndërkombëtar tërhoqi vëmendjen, se pavarësisht arritjeve studimi për SIDA-n duhet të vazhdojë.
Lajmi i mirë është: SiDA, siç duket tani, e ka humbur efektin kulmor frikëngjallës. Numri i infeksioneve të reja ka rënë dukshëm, gjithnjë e më pak pacientë vdesin prej SIDA-s ose pasojave të smëundjes, që shkaktohet nga dobësimi ekstrem i sistemit të imunitetit si p.sh. tuberkulozi, thotë Jürgen Rockstroh, eksperti SIDA-s në Universitetin e Bonit: "Kjo ka të bëjë me kushtet e mira të trajtimit mjekësor si dhe me nivelin e mirë të jetëgjatësisë, që kanë pacientët me HIV, në rast se terapia fillon në fazat e hershme".
Terapia me mjetet antivirale duhet të fillohet jashtëzakonisht shpejt – më e mira menjëherë pas diagnostikimit – dhe ajo duhet zbatuar me rigorozitet, bënë thirrje ekspertët në Konferencën Ndërkombëtare të SIDA-s në Vankuver. Vetëm në këtë mënyrë sukseset janë të mëdha.
Sasia e viruseve në trup madje mund të pakësohet fuqishëm derisa të infektuarit të arrijnë në gjendje sikur të mos ishin infektuar – rreziku i përçimit të virusit tek të tjerët ulet me të paktën 96%. Kësisoj terapia mbron madje më mirë se sa një prezervativ. Këtë e vërtetojnë studimet shkencore të vitit të fundit.
Nga kjo formë e terapisë profilaktike përfitojnë edhe pacientët në vendet afrikane. Kryesisht qëkurse është ulur ndjeshëm çmimi për medikamentet antivirale. Nëse në vitin 2000 më pak se një përqind e të infektuarve me HIV në vendet afrikane në Jug të Saharasë kishte mundësi t'i nënshtrohej një terapie të tillë, sot kuota ka arritur në 40%.
Megjtihatë këto zhvillime pozitive bëjnë që gradualisht të humbasë interesi publik për SIDA-n. Pacientët me HIV falë medikamenteve munden të bëjnë një jetë normale, jetëgjatësia e tyre është pothuajse e njëjtë me atë të njerëzve të shëndetshëm, numri i vdekjeve është në rënie, por sipas Rockstroh: "Në thelb ka humbur emergjenca dhe prej shumëllojshmërisë së medikamenteve, që ekzsitojnë dhe që kanë pak efekte anësore shumë sipërmarrje kërkimore farmaceutike e kanë ndërprerë aktivitetin."
Ndërkohë që do të duhej që pikërisht industria farmaceutike në të ardhmen të investonte edhe më shumë para në studimin e SIDA-s. Sepse deri në vitin 2030 epidemia duhet të zhduket, kështu kërkon OKB-ja. Por nëse ky qëllim ambicioz është realist, për këtë ka dyshime. Sepse pavarësisht nga medikamentet e suksesshme antiretrovirale, që e bllokojnë virusin HIV në trupin e pacientit, deri tani nuk është gjetur asnjë ilaç dhe asnjë vaksinë tërësisht shëruese.