Spitali i Durrësit me Kabinet të ri Diabeti dhe Pediatri të rinovuar
Përurohet sot në spitalin rajonal të Durrësit kabineti i ri i diabetit dhe mbyllja e punimeve për rehabilitimin e shërbimit të Pediatrisë. Lajmi u bë i ditur gjatë takimit që Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, i shoqëruar nga kreu i Bashkisë së Durrësit, z. Vangjush Dako, Deputetja e PS-së, znj. Klodiana Spahiu, zhvilluan sot (03/06/2015) me mjekë, infermierë e punonjës të këtij spitali.
Në fjalën e saj përshëndetëse Drejtorja e Spitalit Rajonal Durrës, znj. Ardiola Frashëri, theksoi ndërmjet të tjerash se “në Pediatri nuk ishte bërë asnjë investim prej 12 vitesh, ndërkohë që tani ky shërbim ka ndryshuar tërësisht pamjen, nga muret plot lagështi dhe mjediset që lini për të dëshiruar”. Pediatria është lyer tërësisht, janë pikturuar e vizatuar muret me motive për fëmijë, është vendosur sinjalistika, janë riparuar krevatet e vendosur perdet, duke e rehabilituar tërësisht këtë shërbim falë një bashkëpunimi të menaxhimit të spitalit me sipërmarrjen private të qytetit. Vetëm për këtë vit, në shërbimin e pediatrisë janë vizituar rreth 13 mijë femijë dhe janë shtruar 900.
Ndërsa Ministri Beqaj shprehu kënaqësinë në fjalën e tij përshëndetëse në takim për projektet inovative të shëndetësisë shqiptare që lancohen nga Durrësi, siç ishte rasti i instalimit për herë të parë i kabineteve të kardiologjisë jashtë Tiranës, apo shërbimit të kimioterapisë dhe shërbimit paliativ, projekti pilot të recetës elektronik, apo qoftë tani së fundi, edhe kabinetin e këshillimit për diabetin.
“Unë besoj se tashmë në 20 muaj”, – tha më tej z. Beqaj, “mund të rendis jo pak gjëra, të cilat besoj se kanë sjellë një përmirësim të ndjeshëm të kujdesit ndaj qytetarëve, por që njëherazi kanë bërë që puna juaj të jetë më shumë evidente, dhe madje efektiviteti i saj të jetë më i ndjeshëm.
Takimin e përshëndetën edhe kryebashkiaku i qytetit bregdetar, z. Dako dhe deputetja znj. Spahiu, të cilët shprehën mirënjohjen dhe falënderimin për punën dhe projektet e ministrisë së shëndetësisë dhe kudjesin e veçantë ndaj sektorit të shëndetësisë në Durrës.
Gjithashtu, për herë të parë në këtë spital, u hap sot një kabinet diabeti me një dhomë të veçantë konsultash për pacientët që kanë nevojë për këtë shërbim të specializuar. Personeli i specializuar mjekësor që do të ofrojë shërbim përgjatë gjithë kohës, duke ofruar këshillim të posaçëm për sëmundjen, dietat që duhen ndjekur, aktivitetet fizike që duhet të kryejnë pacientët, etj. Për të sëmurët diabetikë, do të shpërndahen, gjithashtu, dhe materiale informative për të njohur më mirë diabetin dhe kurimin e tij.