Spitali i ri i Kirurgjisë në QSUT, standarde bashkëkohore për 62 mijë pacientë në vit
Spitali i ri i Kirurgjisë në QSUT është një investim me vlerë 8.8 milionë euro, ku do të përqendrohet i gjithë shërbimi i kirurgjisë, përfshirë edhe urgjencën. Kryeministri Edi Rama solli sot pamje nga ky investim madhor që ofron standardet më të mira bashkëkohore për kujdes shëndetësor. “Mirëmëngjes dhe me pamjet nga Spitali i ri i Kirurgjisë në QSUT, që se shpejti hap dyert duke ofruar standardet më të mira bashkëkohore për njerëzit në nevojë për kujdes shëndetësor, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.
Nga ky investim përfitojnë 62 mijë pacientë në vit. Në sajë të këtij investimi, sallat e operacionit të kirurgjisë në qendrën më të madhe spitalore në vend, nuk do të kenë dallim nga spitalet europiane falë instalimit të aparaturave të teknologjisë së lartë që po instalohen në QSUT.
Spitali i ri i Kirurgjisë do të ketë një kapacitet me 120 shtretër, duke bërë të mundur transferimin e të tre klinikave të kirurgjisë së përgjithshme në këtë godinë. Spitali i ri do të ketë 7 salla operacioni (Urologji, Kirurgji e Përgjithshme, Tiroidet, Toraksi, Kirurgji Abdominale, me një kullë laparoskopie secila), njëra prej të cilave krejtësisht digjitale, që ju shërben edhe studentëve të mjekësisë për të ndjekur nga afër ndërhyrjet operatore në praktikën e tyre klinike.
Spitali i ri ka edhe 2 salla leksioni dedikuar studentëve të mjekësisë ku do të zhvillohen praktikat mjekësore, si dhe edukimi në vazhdim. Qeveria shqiptare po investon rreth 30 milionë euro për modernizimin e QSUT-së me ndërtimin e Spitalit të Ri të Kirurgjisë, Spitalit të Ri të Sëmundjeve të Brendshme dhe Pediatrisë. Nga këto investime përfitojnë 300 mijë pacientë, rreth 5000 punonjës staf mjekësor dhe jomjekësor, si dhe rreth 1000 studentë të Mjekësisë.