Spitali Rajonal i Elbasanit me Shërbim Modern Telemjekësie

 

Qytetarët e Elbasanit do të përfitojnë tashmë nga konsultat e mundësuara nga shërbimi modern i Telemjekësisë i porsainstaluar në Spitalin Rajonal të këtij qyteti, falë mbështetjes financiare dhe teknike të Programit USAID Albania dhe Zyrës së ODC-së (Office for Defence Cooperation – Zyra e Bashkëpunimit Ushtarak) të Ambasadës së SHBA-ve në Shqipëri. Lajmi u bë i ditur në ceremoninë e përurimit të këtij investimi të teknologjisë së lartë të organizuar sot (22/4/2015) me drejtues, mjekë e punonjës të këtij institucioni, në të cilin morën pjesë Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj dhe z. Donal Lu, Ambasador i SHBA-ve në Shqipëri.

“Jemi zotuar se do t’ju ofrojmë shqiptarëve mbrojtjen e merituar përmes një sistemi shëndetësor me mbulim universal,” – tha midis të tjerash në fjalën e tij Ministri Beqaj, duke theksuar se “me instalimin e shërbimeve të tilla në spitalet e vendit, kemi hedhur një hap të rëndësishëm në këtë drejtim, pasi këto investime na afrojnë përherë e më tepër drejt realizimit të një sistemi të kujdesis shëndetësor cilësor që ofron akses të plotë.” Kështu, sipas ministrit, qytetarët e Elbasanit do të kenë mundësi të përfitojnë shërbim të specializuar mjekësor pa qenë nevoja të udhëtojnë drejt qendrave universitare spitalore të Tiranës, duke kursyer kohën e çmuar dhe shpenzimin e panevojshëm të mjeteve financiare për këtë qëllim.

Ndërkohë, z. Lu tha në fjalën e tij, “Telemjekësia po ndryshon fushën e kujdesit të avancuar mjekësor anekënd botës.  Ne jemi të kënaqur që pacientët shqiptarë tanimë do të kenë akses në këtë teknologji. Përveç kësaj, mjekët dhe infermieret mund ta përdorin këtë teknologji për edukimin mjekësor në vazhdim dhe të konsultohen me ekspertë në Tiranë dhe dhjetëra universitete anembanë botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara.”

Në takimin me mediat të zhvilluar në Qendrën e porsangritur të Telemjekësisë në këtë institucion, e cila është e pajisur me teknologjinë më moderne dhe të avancuar të telemjekësisë të instaluara nga Programi i Integruar i Telemjekësisë dhe Shëndetit Elektronik në Shqipëri, kreu i shëndetësisë falënderoi sërish për mbështetjen e pakursyer dhe bujare që USAID-i dhe populli amerikan kanë dhënë përgjithësisht për përmirësimin e kujdesit shëndetësor në Shqipëri nëpërmjet zhvillimeve inovative në këtë sektor në Shqipëri, dhe veçanërisht, në fushën e telemjekësisë dhe shëndetit elektronik. Ministri Beqaj siguroi Ambasadorin Lu dhe partnerët e këtij programi pesë-vjeçar se Ministria e Shëndetësisë, është plotësisht e vendosur ta mbështesë këtë projekt edhe pas përfundimit të financimit të ofruar USAID-i.

Gjithashtu, z. Beqaj shprehu mirënjohjen ndaj përfaqësuesve të USAID-it edhe për ndihmën që ata po japin nëpërmjet projekt të mbështetjes teknike për krijimin e shërbimit kombëtar të traumës, emergjencave dhe urgjencave mjekësore, për ngritjen e qendrës kombëtare për koordinimin e kërkesave për kujdes emergjent, si dhe për krijimin dhe forcimin e kapaciteteve tona për të ofruar kujdes shëndetësor në këto fusha.

  

SHKARKO APP