Stresi, disa nga ushqimet që qetësojnë nervat
Stresi në punë duket se është bërë mbizotëruesi më i madh i llojeve të streseve në përgjithësi. Ekspertët rekomandojnë kurën më të mirë, atë të zgjedhjes së ushqimeve antistres
ndryshe1Sipas disa studimeve të fundit psikologjike botërore, njerëzit janë më shumë të stresuar për shkak të punës. Shtatë në dhjetë prej tyre vuajnë për shkak të organizimit, prej ngarkesës dhe orareve të punës. Në qoftë se, kur jeni në punë nuk mund të ndërhyni drejtpërdrejt, ju mund të kujdeseni për veten duke zgjedhur ushqimin. Duhet të mbështeteni tek antioksidantët ose tek ushqimet që luftojnë radikalet e lira; te fruta dhe perimet me ngjyrë: ngjyrë të kuqe dhe violë në veçanti. Dhe jo vetëm kaq. Lajme të mira ka edhe për të gjithë ata që pëlqejnë ëmbëlsirat. Për shembull, mund të hani çokollatë, sepse ajo përmirëson humorin, funksionon si antidepresiv natyral, ju fal energji dhe futet direkt në veprim, mjafton që mos ta ekzagjeroni. Po kështu ju mund të zgjidhni edhe ndonjë gotë verë. Ndërkohë, nëse i gjithë trupi është nën stres, më mirë të shfrytëzoni të mirat e qumështit të fermentuar që forcon sistemin imunitar.
Edhe disa ushqime të tjera të vëna rregullisht në tryezë mund të qetësojnë nervat tuaja, si:
Qumështi
Sipas një studimi të publikuar te British Food Journal, fosfolipidet e gjendura te qumështi kanë aftësinë për të reaguar në mënyrë pozitive tek humori, te funksionet njohëse dhe ndaj përgjigjes së stresit.
Çokollata
Në Shtetet e Bashkuara është treguar se 40 gramë çokollatë e errët çdo ditë për rreth dy javë reduktojnë nivelet e hormonit të stresit te personat më të prekur nga ai. Një studim tjetër i kryer nga Universiteti i Adelaide, në Australi, ka konkluduar se çokollata e errët funksionon më shumë sesa ilaçet qetësuese të zakonshme në uljen e tensionit.
Vera
Sipas një studimi të kryer nga Universiteti i Madridit, një gotë verë e kuqe në ditë ndihmon në parandalimin e depresionit, ankthit dhe të stresit. Vera ka një funksion antiradikal, antiinflamator, ndërsa përmirëson qarkullimin e gjakut dhe ul presionin e tij.
Fistikët
Fistikët ndihmojnë në reduktimin e presionit të lartë të gjakut dhe mban nën kontroll si stresin e përditshëm ashtu edhe kolesterolin. Këtë e konfirmon një studim i ri i Universitetit të Pensilvanisë, i publikuar në revistën “Hypertension”.
Arrat
Një studim i publikuar në “Journal of the American College of Nutrition” tregon se një dietë e përditshme e pasur me arra mund të ndihmojë trupin në formimin e efekteve biologjike të lidhura me stresin. Mjaftojnë disa kokrra arre në ditë, ndoshta në mëngjes.
Limoni
Ai përmban sasi të mëdha antioksidantësh, si vitaminë C dhe antokianosid, në gjendje për të pastruar dhe mbrojtur qelizat e mëlçisë, duke favorizuar rigjenerimin. Për pastrim dhe detoksifikim, do të ishte mirë të pinit pak lëng limoni në mëngjes me stomakun bosh.
Thjerrëzat
Thjerrëzat përmbajnë fibra që stimulojnë ndjesinë e ngopjes, magnezin që ka një efekt relaksues dhe kalcium, që redukton ankthin. Konsumojini tri katër herë në javë, sepse ato kontribuojnë për detoksifikimin e organizmit, duke eliminuar edhe toksinat e shkaktuara nga stresi. Një porcion ekuivalent është katër lugë gjelle thjerrëza të thata.
Lakër me ngjyrë violë
Të gjitha frutat dhe vegjetalet ngjyrë violetë përmbajnë antokianinë që ju mbron kundër sëmundjeve kardiovaskulare, duke përmirësuar qartësinë mendore, neutralizuar stresin, ndërsa janë të dobishme edhe për të parandaluar kancerin.
Çajet
Përveç kamomilit, përdorni barna të tilla si lulet e portokallit dhe jargavanit. Çajet kanë veti të mëdha qetësuese.
Kosi
Kosi rigjeneron florën e zorrëve, ndërsa favorizon prodhimin e serotoninës, humorit të mirë. Për të përfituar vetitë e tij të plota, mjaftojnë 125 gramë kos natyral në ditë.