Takat e larta dëmtojnë strukturën e shputës

Specialisti i ortopedisë dhe traumatologjisë prof. dr. Ali Erdem Batur, thotë se njerëzit që veshin këpucë me taka të larta dhe majë të mprehtë duhet ti kushtojnë vëmendje sëmundjeve të këmbëve.

Veshja e shpeshtë e këpucëve me taka të larta, e këpucëve të ngushta, si dhe atyre me maje të mprehtë mund të lënë pasoja të përhershme në zhvillimin dhe strukturën fizike të shputës.

Specialisti i ortopedisë dhe traumatologjisë prof. dr. Ali Erdem Batur, në një prononcim, tha se njerëzit që veshin këpucë me taka të larta dhe maje të mprehtë duhet ti kushtojnë vëmendje sëmundjeve të këmbëve. "Njerëzit që veshin këto lloje të këpucëve mund të përballen me çrregullimin e gishtit të madh (halluks valgus), ndërsa takat e larta dhe këpucët e ngushta mund të lënë pasoja të përhershme në strukturën fizike të shputës", tha ai.

Sipas Batur, për shkak të çrregullimeve të gishtit të madh, mund të paraqiten dhimbje në atë pjesë të këmbës duke e vështirësuar lëvizjen. Njerëzit me këtë lloj çrregullimi, ndodh që shpesh më vonë të mos jenë në gjendje të veshin këpucë të mbyllura. Ai gjithashtu shtoi se këto defekte të shputave, më të pranishme janë tek gratë dhe tha se disa persona për shkak të strukturës natyrore të kockave nga fëmijëria duhet të kenë kujdes më të madh.

Batur gjithashtu shtoi se ka pajisje të ndryshme për trajtimin e kësaj sëmundje, por, siç tha ai, asnjë prej tyre nuk mund të parandalojë çrregullimin në fjalë.

"E vetmja mënyrë për të kuruar këtë sëmundje është operacioni," thotë specialisti i ortopedisë, duke shtuar se pas ndërhyrjes kirurgjikale është e nevojshme të vishen këpucë ortopedike, përndryshe problemi i njëjtë mund të përsëritet.

SHKARKO APP