Telekom Albania rinovon repartin “Djepi i Engjëjve” në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”           

Reparti “Djepi i Engjëjve” në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, ku qëndrojnë foshnjat e braktisura ka pësuar një ndryshim rrënjësor. Falë Telekom Albania, ambientet e “Djepi i Engjëjve” janë të rinovuara, kanë një infrastrukturë të re dhe mobilim të përshtatshëm për qëndrimin e vogëlushëve.

Ky investim ka bërë të mundur krijimin e kushteve më të mira për foshnjat e braktisura si dhe për stafin që përkujdeset për ta. Ndërhyrja nisi me rinovimin tërësor të ambienteve dhe vijoi më tej me pajisjen me infrastrukturë të re dhe moderne si dhe në vendosjen e mobilieve për qëndrimin e fëmijëve dhe atyre në funksion të shërbimeve mjekësore.

Gjatë inaugurimit të ambienteve të repartit “Djepi i Engjëjve” ditën e mërkurë ishin të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i Spitalit Universitar Obstetrik Gjinekologjik (SUOGJ), Z. Blenard Nonaj, Drejtoresha e Marrëdhënieve të Korporatës, Znj. Ornela Bego, Presidentja e OSAAB (Organizata për Mbështetjen e Fëmijëve të Braktisur të Shqipërisë), Znj. Claudia Janiszewski, mjekë dhe vullnetarë.

Menaxherja e Marrëdhënieve të Korporatës në Telekom Albania, Znj. Ornela Bego theksoi rëndësinë e përgjegjësisë sociale të kompanisë në raport me çështje të kësaj natyre siç është shëndetësia.

“Telekom Albania bëri të mundur një rikonstruksion të plotë të gjithë qendrës duke filluar nga muret, krevatet, dyshekët dhe çdo pajisje tjetër që ju shihni përreth. Ne jemi shumë të lumtur të vazhdojmë kontributin dhe bashkëpunimin me këtë spital. Gjej rastin të përshëndes edhe OSAAB për kujdesin që jep në këtë qendër”, tha Znj. Bego.

Në fjalën e tij, drejtori i maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” Z. Blenard Nonaj u shpreh se “ky është një kontribut i vyer për të gjithë ne, i cili ndihmon në radhë të parë përmirësimin e jetës së të porsalindurve, por edhe lehtëson kushtet tona si staf për të dhënë një shërbim akoma më cilësor për foshnjat e braktisura”.

Nga ana tjetër, themeluesja e OSAAB, Znj. Claudia Janiszewski, pasi theksoi kontributin shumëvjeçar të Telekom Albania, tha se “Djepi i Engjëjve” është reparti më i veçantë i maternitetit pasi u çel 20 vjet më parë me nismën e kësaj organizate.

“Falënderoj Telekom Albania për këtë bashkëpunim tejet me vlerë si dhe për dhuratat e çmuara që Telekom i solli foshnjave dhe punonjësve të Maternitetit.”, tha Znj. Janiszewski.

Dhjetëra vullnetarë të huaj, kryesisht nga familjet e diplomatëve dhe organizatave ndërkombëtare i janë bashkuar Organizatës për Mbështetjen e Fëmijëve të Braktisur të Shqipërisë në këtë nismë. Programi “Djepi i Engjëjve” është aktiv që prej 20 vjetësh dhe është kujdesur deri tani për mbi 650 foshnja të braktisura.

Bashkëpunimi dhe mbështetja e Telekom Albania për spitalin obstetrik gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” i ka fillimet shumë vite më parë. Mbështetur në shtyllat kryesore të përgjegjësisë sociale të kompanisë, Telekom Albania do të kontribuojë fuqishëm në fusha të shoqërisë, të cilat kanë nevojë për mbështetje.

SHKARKO APP