Ushqehej vetëm me patate të skuqura, 17-vjeçari humb shikimin
Të ushqehesh keq, mund të të çojë në pasoja shumë të rënda shëndetësore.
Ky është rasti i një 17-vjeçari britanik, i cili ka pësuar humbje të pariparueshme të shikimit pasi ushqehej vetëm me patate të skuqura dhe patatina. Pasi mbaroi shkollën fillore, djali kishte ngrënë vetëm patate të skuqura, bukë të bardhë dhe një fetë sallam ose proshutë.
Në vizitën e bërë tek okulisti në Bristol, testet e bëra zbuluan se ai kishte mangësi të mëdha vitaminash dhe dëmtime nga kequshqyerja. Okulistët në Bristol u kujdesën për të riun pasi shikimi i tij u përkeqësua deri në verbëri.
Adoleshenti, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije, kishte shkuar tek mjeku në moshën 14-vjeçare sepse ndihej i lodhur dhe i sëmurë. Në atë kohë ai u diagnostikua me mungesë të vitaminës B12, por nuk e ndoqi trajtimin dhe nuk e përmirësoi dietën e ushqimit.
Pas 3 vitesh, ai u dërgua në spital për shkak të humbjes së shikimit. Okulisti u shpreh se arsyeja e verbërisë ishte dieta me patate të skuqura dhe patatina çdo ditë.
Ai nuk ishte mbi ose nënpeshë, por ishte kequshqyer.
“Pacienti kishte humbur mineralet nga kocka e tij, gjë që ishte vërtet shokuese për një djalë të moshës së tij,”-tha okulisti Denize Atan.
Për sa i përket humbjes së shikimit, ai plotësonte kriteret për t’u regjistruar si i verbër.
Marrë nga BBC