Ushqimet më të dobishme për të mbajtur mushkëri të shëndetshme
Mushkëritë janë një organ jetik për trupin e njeriut dhe të gjithë gjallesave në Tokë. Funksioni i tyre parësor është të transportojnë oksigjen nga atmosfera nëpër enët e gjakut dhe të çlirojnë dioksidin e karbonit në atmosferë. Për të kuptuar anatominë e mushkërive, duhet të studiohet kalimi i ajrit nëpërmjet hundës dhe gojës. Për shkëmbimin e gazeve (të oksigjenit dhe dioksidit të karbonit) nevojitet një mozaik prej milionash qelizash të vogla të specializuara.
Nëse arrini të kujdeseni për mushkëritë e juaja, ato mund të jetojnë shumë gjatë. “Mushkëritë janë shumë të qëndrueshme nëse ato nuk sulmohen nga jashtë,” thotë Norman Edelman, shefi mjekësor i Shoqatës Amerikane të Mushkërive. Me disa përjashtime, mushkëritë tuaja nuk do të hasin probleme vetëm nëse ju jeni shkaktarët.
Megjithatë, sëmundja kronike obstruktive pulmonare është shkaku i katërt kryesor i vdekjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas sëmundjeve të zemrës, kancerit dhe atakut. Disa nga mënyrat për t’i mbajtur mushkëritë të shëndetshme për aq sa të keni jetë janë :
Të mos konsumoni duhan (asnjë lloj duhani). Pirja e duhanit është gjëja më e keqe që ju mund t’i bëni munshkërive tuaja. Doktor Edelman thotë : “ Sa më shumë të konsumoni duhan, aq më i madh është rreziku për kancerin e mushkërive ose sëmundjen kronike pulmonare, që përfshin emfizemën dhe bronkitin kronik. Duhanpirja e dorës së dytë është gjithashtu e dëmshme, dhe ekzistojnë prova se edhe duhanpirja e dorës së tretë, pra vetëm të qenit në një ambient ku njerëzit kanë pirë duhan dhe ka tym, është e rrezikshme. Jo vetëm cigaret por edhe marijuana është e dëmshme për mushkëritë.
Të luftosh për ajër të pastër. Ndërkohë që ajri në Shtetet e Bashkuara është më i pastër se në të kaluarën, më shumë se 154 milionë amerikanë vazhdojnë të jetojnë akoma në zona ku ndotja e ajrit është një kërcënim për shëndetin. “Ndotja e ajrit jo vetëm që mund të shkaktojë sëmundjen kronike pulmonare e të përkeqësojë astmën por edhe të vrasë njerëz,” tha Doktor Edelman. Ju mund të bëni një ndryshim duke mbështetur ligjet për ajrin e pastër dhe duke kundërshtuar përpjekjet që dëmtojnë këto rregullore. Në një nivel individual, duhet të përdorni sa më pak energjinë elektrike, të udhëtoni më pak me makinë dhe të shmangni djegjen e drurëve apo të plehrave.
Bëni më shumë ushtrime fizike. Ushtrimet fizike nuk do t’jua bëjnë mushkëritë më të forta, thotë doktor Edelman, por do t’ju ndihmojnë t’i keni ato të shëndetshme dhe të nxirrni më të mirën prej tyre. Sa më mirë të funksionojë proçesi juaj kardiorespirator, aq më e lehtë do të jetë për mushkëritë e juaja të furnizojnë zemrën dhe muskujt me oksigjen. Ushtrimet e rregullta janë veçanërisht të rëndësishme kur keni sëmundje kronike mushkërish. Në këtë rast mushkëritë duan ndihmën më të nevojshme që të funksionojnë më së miri. Nëse ajri i ftohtë përforcon simptomat e astmës, duhet të përdorni një shall për të ngrohur ajrin që thithet përpara se ai të shkojë në mushkëri.
Kini kujdes nga zonat e ndotura në natyrë. Në disa zona, veçanërisht në verë, njerëzit me sëmundje mushkërish janë veçanërisht të ndjeshëm nga ndotja e ajrit.
Përmirësoni ajrin në mjediset e brendshme. Ndotja e ajrit në natyrë nuk është problemi i vetëm. Ekzistojnë një numër i madh burimesh të brendshme që përfshijnë oxhaqet, sobat me dru, materialet e ndërtimit, freskueset apo edhe qirinjtë. Agjensia për Mbrojtjen e Mjedisit rekomandon tre qasje : Eliminimin e këtyre burimeve, përmirësimin e ventilimit dhe përdorimin e pastruesve të ajrit.
Hani mirë. Ka prova që ushqimet e pasura me antioksidantë janë të mira për mushkëritë. Një studim i kryer në vitin 2013 arriti në përfundimin se njerëzit që konsumonin më shumë perime (brokoli, lakër, lulelakër, lakër jeshile etj) kishin më pak gjasa për t’u diagnostikuar me kancer në mushkëri se sa ata që nuk konsumonin perime. “Të gjitha ato perime gjethe-jeshile duket se përmbajnë shumë antioksidantë që kanë një efekt mbrojtës,” thotë doktor Edelman.
Mbroni veten gjatë punës. Profesione të ndryshme mund të vënë mushkëritë në rrezik, duke filluar nga puna në ndërtim e deri tek stilimi i flokëve. Sipas doktor Edelman, rreth 15% e atyre që vuajnë nga astma e kanë për shkak të profesionit të tyre. Fajtorë të mundshëm përfshijnë pluhurin, kimikatet nëpër depot ushqimore, kimikatet e bojrave, elementë të naftës e shumë të tjerë. Nëse punëdhënësi juaj ju ofron pajisje dhe mjete mbrojtëse, mos i neglizhoni por përdorini ato.
Mos i anashkaloni vaksinat. Infeksionet e marra nga rrugët e frymëmarrjes janë veçanërisht shkatërruese nëse keni probleme me mushkëritë. Bëni vaksinën e gripit kur është sezoni i gripit. Edhe nëse jeni 65 vjeç apo më shumë, merrni vaksinën e pneumonisë gjithashtu. Gjithashtu kujdesuni për të shmangur infeksionet. Lajini duart vazhdimisht, shmangni turmat e njerëzve në kohë gripi, pushoni sa më shumë, hani mirë dhe mbani nivelin e stresit nën kontroll.
Shumë nga aktivitetet brenda në shtëpi – pastrimi, rregullimi etj. – mund t’i ekspozojnë mushkëritë ndaj grimcave të dëmshme apo gazeve. Mbroni veten duke zgjedhur produkte të sigurta, duke punuar në një dhomë të mirë-ventiluar dhe përdorni maskë kundra pluhurit. Shmangni bojrat me bazë vajore që çlirojnë komponentë organikë të paqëndrueshme dhe në ven të tyre përdorni bojrat me bazë ujore. Produktet e pastrimit mund të përmbajnë kimikate të dëmshme gjithashtu. Prandaj është e këshillueshme leximi i etiketave përpara se një produkt të blihet.
Kini kujdes nga “radoni”. Radoni është një gaz natyror radioaktiv i prodhuar nga avaria e uraniumit në terren. Ai zakonisht rrjedh nëpër shtëpitë e vjetra ku ka të çara në mure apo themele të shtëpisë. Radoni është shkak kryesor i kancerit të mushkërive tek jo-duhanpirësit.
Mos i neglizhoni shenjat paralajmëruese. Nëse keni kollë për më shumë se një muaj, apo merrni frymë me vështirësi gjatë një ushtrimi fizik duhet patjetër të vizitoheni tek një doktor. Tështima, kolla apo dhimbja e gjoksit për më shumë se një muaj me të vërtetë janë probleme që nuk duhen neglizhuar.
Kontrolloni gjendjen tuaj. Nëse vuani nga astma apo sëmundja kronike pleumonare, duhet të bëni ç’të jetë e mundur për t’i mbajtur nën kontroll. Medikamentet parandaluese mund t’ju shërbejnë për të ulur rrezikun e acarimit të astmës.
• Ushqimet më të dobishme e të dëmshme për mushkëritë
Në të vërtetë nuk ekziston një dietë që do të eliminojë apo kurojë sëmundjet e mushkërive por sigurisht që do të jenë një ndihmë për mirë-funksionimin e tyre.
MOLLA (+)
Kjo është një arsye më tepër për t’i vendosur mollët në listën e ushqimeve që konsumojmë çdo ditë. Një studim britanik arriti në konkluzionin se njerëzit që konsumonin dy deri në pesë mollë në javë kishin 32% rrezik më pak për të vuajtur nga astma se sa njerëzit që hanë më pak. Ekspertët mendojnë se janë flavonoidet që molla përmban përgjegjëse për ndihmën në funskionimin e mushkërive.
PJEPRI (+)
Vitamina C është një antioksidant i fuqishëm që mund të shmangë dëmtimin e mushkërive duke luftuar radikalet e lira. Edhe pse vitamina C mund të gjendet në shumë fruta dhe perime, ajo ndodhet me bollëk në agrume si portokalli, kivi, pjepri, domatet, brokoli etj.
KARROTAT (+)
Karrotat janë të famshme për përmbajtjen e beta-karoten, një tjetër lloj antioksidanti. Studimet paraprake sugjerojnë se beta-karoten që konvertohet në vitaminë A kur ndodhet në trup mund të zvogëlojë rrezikun e astmës. Beta-karoten ndodhet edhe në frutat me ngjyra të tjera, por edhe në perime si specat jeshile apo patatja e ëmbël.
KAFJA (+)
Kafeina është një element i mirë përsa i përket shëndetit të mushkërive. Kafeina mund të përmirësojë në mënyrë modeste funskionin e rrugëve ajrore në trup për rreth 4 orë pasi është konsumuar. I dobishëm mund të jetë edhe çaji i zi.
HURDHRA (+)
Sipas doktor Grahamit, hurdha ka veti anti-inflamatore. Ekspertët e kanë vendosur hurdhrën në në vendet e para të listës përsa i përket infeksioneve virale. Hurdhra prodhon një antioksidant të fuqishëm që shkatërron radikalet e lira.
FRUTAT E THATA (-)
Frutat e thata mund të provokojnë alergji fatale për disa persona që vuajnë nga astma. Sipas një studimi disa fëmijë që vuanin nga astma dhe që kishin alergji nga frutat e thata duket se e kishin zhvilluar më tepër sëmundjen me përdorimin e tyre.
KRIPA (-)
Tipar dallues i astmës është inflamacioni dhe shtrëngimi i rrugëve të frymëmarrjes. Kripa mund të kontribuojë në shkaktimin e inflamacionit. “Gjithnjë u them njerëzve të konsumojnë sa më pak soduim nëse kanë simptoma astmatike,” thotë doktor Graham.
VERA (-)
Disa studime sugjerojnë se vera mund të acarojë astmën për shkak të prezencës së një elementi të quajtur ‘sulfit’ që ndodhet edhe tek frutat e thata. Të tjera studime thonë se mund të jetë vetë alkooli produkti që e shkakton këtë acarim.