Vaksinim në çdo komunitet, Manastirliu: Verifikim çdo kartele vaksinimi

Plani i masave për forcimin e mbulesës vaksinale po zbatohet në të gjithë vendin. Nga Levani ku ka ndjekur vaksinimin e fëmijëve në prag të fillimit të vitit shkollor, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se shërbimi i vaksimit do të shtrihet në çdo komunitet.

”Shërbimi i vaksinimit në komunitet është shtrirë në të gjithë territorin e vendit. Me Institutin e Shëndetit Publik kemi ndërmarrë Programin e Vaksinimit në Komunitet, një program i cili synon të jetë afër komuniteteve, kryesisht komunitetit rom dhe egjiptian, por edhe lagjeve dhe zonave periferike. Jemi këtu në Levan ku janë identifikuar në sajë të këtij plani masash dhe të verifikimit të bërë deri këtë javë, fëmijë të cilët nuk kishin kryer sipas rregullit të gjithë kalendarin e vaksinimit”.

Duke bërë një apel për prindërit që të vaksinojnë fëmijët si një masë mbrojtëse dhe parandaluese ndaj sëmundjeve infektive, Manastirliu tha se do të verifikohet çdo kartelë vaksinimi për të pasur mbulesë sa më të madhe vaksinimi të popullsisë.

”Në kuadër të planit të masave që ne kemi lançuar po bëhet një verifikim i rëndësishëm nga Inspektorati Shëndetësor, nga Drejtoritë e Shëndetit Publik, nga njësia e survejancës në Institutin e Shëndetit Publik për të gjithë verifikimin e kartelave të vaksinimit. Ndaj ftojmë të gjithë prindërit, por mbi të gjitha mësueset, edukatoret të jenë të vëmendshëm në depozitimin e kartelave të vaksinimit për të verifikuar ato fëmijë”.

SHKARKO APP