Viagra “rozë” për femrat, tani zyrtarisht në treg
Administrata amerikane për Ushqimet dhe Ilaçet (FDA) ka miratuar viagrën për femrat, shoqëruar edhe me një sërë detyrimesh për përshkrimin e ilaçit dhe efektet anësore të tij.
Viagra e quajtur “flibanserin” do të shitet nën emrin Addyi.
FDA i kërkon prodhuesit të saj, Sprout Pharmaceuticals, të trajnojnë doktorët dhe farmacistët që do e shesin dhe të mbajë shënime për çdo problem që ilaçi mund të japë tek femrat. Vetëm doktorët e trajnuar do të lejohen të rekomandojnë viagrën.
FDA kërkon gjithashtu një paralajmërim të fuqishëm për femrat, të cilat nuk duhet të pinë kurrë alkool teksa marrin këtë ilaç. Kjo pasi mund të shkaktojë gjendje të fikti të papritur, një rrezik i përhershëm ky .
Më herët, FDA e kishte refuzuar dy herë këtë ilaç.
Por Sprout, kompania që mori të drejtat e prodhimit nga gjiganti farmaceutik Boehringer Ingelheim, ka bërë një fushatë të gjerë publike të quajtur “Even the Score”.
Kjo fushatë bënte të ditur se për meshkujt ka një sërë ilaçesh për mosfunksionimin seksual, si Viagra apo Cialis, ndërsa për femrat nuk ka asnjë.
“Miratimi i sotëm u ofron femrave me dëshirë të ulët seksuale një mundësi trajtimi”, thotë dr. Janet Woodcock, drejtore e qendrës së studimeve dhe vlerësimit të ilaçeve në FDA.
Por kritikët thonë se Addyi nuk duhej të miratohej për shkak të efekteve të tij anësore dhe përfitimet prej tij janë të pakta.
Por FDA thotë se nuk ka ilaçe të tjera për të ndihmuar femrat për dëshirën e tyre seksuale, të quajtur çrregullime hipoaktive të dëshirës seksuale.