Zbulohet ADN-ja ku të dhënat ”jetojnë” për 1000 vjet
Dina Zielinski, një shkencëtare në Institutin Kombëtar Francez, ruan në shtëpinë e saj në Paris, një provëz të vogël me një ADN të veçantë brenda. ADN-ja nuk ka kodin e një gjenomi njerëzor, as të ndonjë kafshe apo virusi. Në vend të kësaj, ruan të dhënat digjitale të një muzeu. “Kjo do të zgjasë lehtësisht dhjetëra vjet, ndoshta qindra”, thotë Zielinski.
Hulumtimi se si mund të ruajmë të dhënat digjitale brenda vargjeve të ADN-së, ka qenë një nga debatet kryesore në rrethet shkencore. Aktualisht, shkencëtarët kanë koduar filmat, librat dhe sisteme të tëra kompjuterike në ADN. Madje, platforma Netflix e ka përdorur këtë teknikë për të ruajtur një episod të serisë thriller, “Biohackers”.
Sa kohë mund të ruhen këto informacione dhe a mund të jemi vërtet të sigurt në efektshmërinë e tyre? Shumë ekspertë po këmbëngulin se ADN-ja ofron një formë ruajtjeje tepër kompakte, të qëndrueshme dhe afatgjatë që mund të zëvendësojë format e shumta të mediave digjitale, të cilat një moment të caktuar mund të mos funksionojnë, si dhe kërkojnë sasi të mëdha energjie.
Marke Bathe, një profesor i inxhinierisë biologjike në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets, është i mendimit se kërcënimet globale me të cilat përballet njerëzimi, na detyrojnë të ruajmë informacione nga çdo fushë, si arti dhe shkenca, dhe gjithashtu ADN-në e të gjitha gjallesave në planet.