2018, viti shqip i Dafina Zeqirit
2018 për skenën muzikore shqiptare do të mbyllet me këngë hite. Njëra nga artistët që ishin më aktiv këtë vit është padyshim Dafina Zeqiri. Artistja e filloi vitin 2018 me pjesëmarrjen në klipin e rep-artistit të njohur botëror, French Montana. “Famous” titullohet kënga që u publikua në muajin janar të vitit 2018, e që protagoniste kryesore e këtij klipi ishte artistja shqiptare, Dafina Zeqiri.
Pas “Famous” artistja publikoi disa fotografi profesionale të realizuara nga një fotografe shqiptare, për të vazhduar kështu duke dhënë edhe disa intervista për revista të huaja ndërkombëtare. Qershori ishte muaji kur Dafina u rikthye në skenën muzikore shqiptare me këngën “Fuego”, videoklipi i të cilës u realizua jashtë Kosovës. Kënga e dytë e Dafinës për vitin 2018 erdhi në muajin gusht por këtë herë në bashkëpunim me reperin e njohur, Lumi B. Kënga “Kalon” u bë njëri nga hitet e padiskutueshme të sezonit veror.
Rikthimi i Dafinës në skenën muzikore u vu në pah fuqishëm kur artistja paralajmëroi që projekte të tjera do të lansohen gjatë muajve në vijim. Në muajin tetor artistja publikoi dy këngë “Kurgjo Nuk Kallojna” që ishte solo dhe “A don Love?” që ishte në bashkëpunim me reperin, Noziy. Edhe pse të dy këngët u publikuan vetëm në pesë ditë diferencë, që të dyja arritën të pëlqehen nga publiku.
Suksesin e këtyre këngëve artistja e festoi duke publikuar edhe disa fotografi profesionale të realizuara në vende të ndryshme, në të cilat shfaqte në pah linjat e saj trupore. Me një fotosesion të veçantë artistja erdhi për festën e 28 nëntorit, ku shfaqej me helmetën e Skënderbeut në kokë.
Viti 2018 mund të themi që ishte i suksesshëm për këngëtaren dhe presim që ajo të mos ndalojë së publikuari projekte të reja muzikore edhe në vitin në vijim.
KOHA JONË SONDAZH

