
Edicioni i pestë i Big Brother VIP Kosova ka nisur me emra të rinj dhe personazhe nga fusha të ndryshme. Deri më tani, gjashtë konkurrentë kanë prezantuar veten dhe kanë kaluar pragun e shtëpisë më të famshme në Kosovë.
Banorja e parë është Arlinda Morina, regjisore dhe aktiviste. Ajo u shpreh se fillimisht mund t’i irritojë banorët e tjerë, por beson se më vonë do ta duan.
Pas saj, në shtëpi u prezantua Antoneta Koçi, moderatore dhe gazetare. Ajo tregoi se vendosi të bëhet pjesë e këtij formati për shkak se i pëlqen një karrierë dinamike, ndërsa paralajmëroi se nuk do të hezitojë t’u përgjigjet banorëve të tjerë.
Banori i tretë është Nichi, 23-vjeçar i lindur në Amerikë dhe i rritur në Prishtinë. Ai vendosi t’i bashkohet këtij rrugëtimi për t’i treguar publikut një anë tjetër të vetes, të cilën nuk e kanë parë më parë.
Ndërkohë, këngëtari Bejta është banori i katërt që iu bashkua garës. Në mesin e konkurrentëve është edhe Anjeza Gubetini, moderatore, e cila tregoi se ka hyrë në shtëpi për ta shijuar eksperiencën dhe për t’u argëtuar.
Banori i radhës është Fatlum Dreshaj. Ai jeton në Gjermani dhe është boksier profesionist. Kësaj here, ai do të përballet me një sfidë krejtësisht ndryshe nga ajo e ringut, brenda shtëpisë së BBVK 5.
