Aktorja Natalie Portman për “La Repubblica”: Kujdesi për veten nuk është egoizëm, por domosdoshmëri
Aktorja e njohur Natalie Portman, në një intervistë për La Repubblica, ka ndarë një mesazh të fortë mbi rolin e grave dhe rëndësinë e kujdesit për veten, duke theksuar se dedikimi ndaj vetes nuk duhet të konsiderohet egoizëm.
“Nuk kam frikë të plakem dhe me kalimin e viteve kam mësuar të mos ndihem fajtore nëse i kushtoj më shumë kohë vetes. Ne gratë sakrifikojmë shumë nga jeta jonë për të tjerët, por t’i kushtosh kohë interesave të tua nuk duhet të konsiderohet një akt egoizmi”, u shpreh Portman.
Aktorja, e cila u bë e famshme që në moshën 12-vjeçare me rolin në filmin kult “Léon: The Professional”, të regjisorit Luc Besson, ka ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme në kinematografi. Sot, pas më shumë se tre dekadash, ajo numëron në CV çmime prestigjioze si Oscar, BAFTA dhe Golden Globes.
Përveç suksesit artistik, Portman është diplomuar në psikologji në Harvard University dhe flet rrjedhshëm disa gjuhë. Ajo është prej kohësh e angazhuar në kauza humanitare, duke mbështetur të drejtat e grave, çështjet mjedisore dhe mbrojtjen e kafshëve.
Së fundmi, ajo ka shprehur mbështetje për nisma që synojnë ndryshimin e politikave të emigracionit dhe është bashkëthemeluese e ekipit profesionist të futbollit për femra Angel City FC në SHBA, duke kontribuar në fuqizimin e grave në sport.
Portman ka botuar gjithashtu librin “Fables”, një reinterpretim modern i përrallave klasike me më shumë diversitet gjinor. “Nuk ka asgjë më të fuqishme sesa gratë që mbështesin njëra-tjetrën. Ne jemi gjysma e popullsisë; të bashkuara është çelësi i gjithçkaje”, theksoi ajo. ATSH
KOHA JONË SONDAZH

