“Bekimi i saj më ndjek kudo” Miriam Cani përlotet live teksa kujton nënën (Foto)
Miriam Cani ka pak kohë që ka lajmëruar projektin e saj të ri, i cili do të publikohet pas pak ditësh. Në profilet sociale ka ndarë me fansat e panumërit të saj edhe pak detaje që paralajmërojnë një projekt të madh që po vjen. E ftuar në emisionin “Rudina”, këngëtarja e dashur e publikut ka zbuluar të tjera sekrete për jetën e saj pas ardhjes në jetë të Ameli.
Prej gati dy vjetësh, Miriam i është kushtuar tërësisht vajzës së saj të vogël. Gjatë periudhës së parë i është dashur të përballet më shumë vetë, meqenëse Albani ishte më i angazhuar dhe nuk e ka ndërprerë karrierën për asnjë moment, por gjatë vitit të dytë të rritjes së vajzës, gjërat janë bërë më të thjeshta dhe më të sigurta. Megjithatë, me gjithë vështirësitë, Miriami ia ka dalë, ndihet e bekuar që ka një vajzë si Ameli, e cila i fal gëzim çdo ditë.
E pyetur çfarë ka ndryshuar gjatë këtyre dy viteve, Miriam tregon se për të, ashtu si edhe për Albanin, jeta ka ndryshuar me 360 gradë. Ka ndryshuar gjithçka, që nga mënyra se si ata tani e perceptojnë jetën, që nga prioritetet, gjërat më të rëndësishme që tanimë janë zhdukur, por edhe nga objektivat që nuk janë njëlloj.
Unë falënderoj Zotin dhe jam shumë mirënjohëse që kam një fëmijë aq të mbarë si Ameli”, – tregon Miriam. Por jeta me Albanin, gjithmonë në udhëtim ka sjellë edhe vështirësitë e veta për pjesën tjetër të familjes. Miriami, babai dhe vëllai i saj, vazhdon jetojnë në Gjermani, ndërsa familja e Albanit jeton në Itali. Për çiftin ka qenë e vështirë të jetë gjithmonë pranë tyre, megjithatë Miriam tregon se edhe për familjen e saj ka qenë dhe është gjithmonë krenare. Edhe pse ka një peng në zemër – të ëmën, modelin e së cilës ajo e ka pasur gjithmonë jo vetëm kur është bërë nënë.
E pyetur nga Rudina nëse ia ndien mungesën më shumë tani që është bërë nënë vetë, e emocionuar Miriami përgjigjet se modelin e saj ajo e ka pasur gjithmonë shembull, e ndjek gjithmonë malli i saj, engjëlli i saj, por edhe bekimi nga lart.
Mami nuk është, por sot për Miriamin ishin i ati Agim dhe i vëlla, Silvi, të cilët i dërguan njeriut të tyre të dashur një mesazh me fjalë zemre. Tani që po jetojnë larg njëri-tjetrit, kanë mall, mezi presin të bashkohen sërish e të gëzojnë me Amelinë.
I ati, ndër të tjera i thotë se ndihet shumë krenar që ajo është pjesë e artit shqiptar, ëndrra që ai ka pasur që kaherë, por njëkohësisht nuk harron ta këshillojë të bijën që të japë e të marrë pa fund nga arti shqiptar, në mënyrë që, sa më shumë të mundemi, ta ndajmë nëpër botë atë që dimë të bëjmë më mirë.