Çfarë mësuam nga Danjela? Jeta midis detyrave dhe pasioneve (VIDEO)
Ajo është një vajzë që jeta nuk është treguar aq e dashur. Historia e Danjelës, e cila tashmë është pjesë e spektaklit ”The Voice Kids” në Top Channel, emocionoi dhe përloti publikun. Danjela është nga qyteti i Kukësit, aty ku jeton me gjyshen e sëmurë, motrat dhe vëllanë e saj në një shtëpi tejet modeste ku shumëçka prej sendeve që jemi mësuar të shohim në shtëpitë tona mungon.
Jeta e saj ndahet midis detyrave dhe pasioneve. Ajo përkujdeset për vëllanë me nevoja të veçanta, ndihmon prindërit të cilët jetojnë në fshat, larg fëmijëve, për të siguruar jetesën për të gjithë. Patjetër që një pjesë e rëndësishme pë Danjelën është edhe muzika.
Por ajo që e karakterizon Danjelën është natyra e saj pozitive. Mirënjohëse ndaj çdo gjëje që ka në jetë ajo dëshiron të shijojë çdo eksperiencë. Vjen në ”The Voice Kids” për të patur mundësinë e një eksperience të bukur dhe për të bërë krenare familjen e saj.
Prindërit e mbështesin në çdo pasion të sajin, duke tejkaluar çdo vështirësi ekonomike për t’i përmbushur ëndrrat. Danjela sjell kështu në ”The Voice Kids” jo vetëm talentin e saj, por dhe një mesazh të bukur optimizmi dhe vlerash të vërteta në jetë.