Dua Lipa ”rishpik” koncertin përmes Studio 2054
As koncert, as show, apo dhe një film në kuptimin e mirfilltë, Dua Lipa ka rishpikur konceptin e filmit koncert me Studio 2054, event i transmetuar direkt në streaming në të gjithë botën.
Në pak më shumë se një orë spektakël, ylli i popit ka prezantuar të gjithë sukseset e saj më të rëndësishme, shoqëruar me një narracion të pasuruar me shkëmbime të vazhdueshme skenash e kostumesh dhe ndërhyrjesh të të ftuarve prestigjiozë nga Kylie Minogue deri tek Elton John.
Transmetuar në platformën LiveNow, ky koncert i Dua Lipës ka qenë tentativa e radhës për të shembur bllokadën e eventeve live që pandemia ka shkaktuar në industrinë diskografike.
Në këtë rast, fansat kanë mundur të shijojnë përmbajtjen bashkë me grupe miqsh përmes opsionit të shikimit në grup, Watch Together. Ylli i popit me origjinë shqiptare ka zgjedhur një lloj kthimi pas në kohë. Ajo ka ofruar një lloj rikthimi në koncertet e viteve 80, një lloj muzikali me duete, ndryshime skenash dhe fluks narrativ.