”E dua burrin si Luizi”, RTSH shkarkon spikeren në Gjirokastër, gazetarja: Harruan vjedhjet me tendera
RTSH ka pushuar nga puna spikeren Eri Muco, e cila bëri një deklaratë të papritur në mbështetje të Luiz Ejllit, konkurrentit të “BBV”, i cili ishte kthyer në një afeksion për një pjesë të mirë të publikut. Në një video që qarkulloi në rrjet, gazetarja duke hapur edicionin informativ thotë: “Para se të filloj këtë ditar, doja t’u thoja se unë jam me Luizin. Dhe nëse do të martohem, bashkëshorti im i ardhshëm duhet të jetë si Luizi”. Në një shënim në rrjetet sociale gazetarja shkruan se drejtuesit u morën me skandalin e saj dhe jo me skandalet e vërteta siç janë vjedhjet me tendera e bindjen e verbër ndaj politikanëve.
Postimi i plotë
“Nga sot zyrtarisht nuk jam më pjesë e Televizionit Shqiptar. E them me keqardhje JO sepse nga sot jam e papunë, por se ne atë ekran dhashë gjithshka kisha, madje dhe “vlerësimin” tim për fituesin e Big Brother Albania.
Ajo çka ndodhi më bëri të kuptoj dhe të reflektoj se pas ekranit të madh e publik të RTSh fshihen disa njerëz të vegjël. Ata që mezi pritën “skandalin” e madh mediatik. Kam një falenderim për të gjithë ata miliona shikues që më kanë ndjekur dhe vlerësuar në këto 19 vite karrierë, e cila u ndërpre përkohësisht nga njerëz të cilët nuk kanë bërë as 19 kronika në gjithë jetën e tyre.
Gjithsesi i falënderoj këta drejtues që më bënë të kuptoj se në ç’batak është zhytur televizioni më i madh në vend. U morën me “skandalin” tim dhe harruan SKANDALET e vërteta siç janë Punësimet pa asnjë kriter. Vjedhjet me tendera e karburante. Bindja e verbër ndaj politikanëve të mëdhenj e të vegjël e shumë e shumë të tjera!
Në rrugëtimin tim si gazetare i kam mëshuar fort kryefjales së këtij profesioni “Fjalës së lirë”, pasqyrimit real të problematikave, kronikave në shërbim të qytetarëve e cila jo pak herë më ka penalizuar nga drejtues te Rtsh. Rrugëtimi im vazhdon, mund ti heqësh një gazetari punën por jo penën!”, shkruan gazetarja.