Eurovision 2027 në Bullgari, zbulohet qyteti pritës
Qyteti bregdetar bullgar i Burgasit është përzgjedhur për të pritur Festivalin Evropian të Këngës 2027, duke mposhtur në garën për organizimin e tij Sofjen, Varnën dhe Plovdivin. Sipas njoftimit të Televizionit Kombëtar Bullgar (BNT) dhe Unionit Evropian të Transmetimeve (EBU), dy gjysmëfinalet e konkursit do të zhvillohen më 11 dhe 13 maj, ndërsa finalja e madhe do të mbahet më 15 maj.
Për organizimin e Eurovisionit kishin shprehur interes katër qytete bullgare. Fillimisht, BNT zhvilloi takime me përfaqësuesit e bashkive dhe më pas një komitet i përbërë nga ekspertë të BNT-së, EBU-së dhe profesionistë të fushës shqyrtoi ofertat e paraqitura. Vlerësimi u përqendrua veçanërisht te kapacitetet teknike të ambienteve, infrastruktura, përputhshmëria me kërkesat e EBU-së dhe standardet e larta të prodhimit që kërkon një event i përmasave të Eurovisionit.
Gjatë procesit, Varna dhe Plovdivi u eliminuan, ndërsa gara finale mbeti mes Burgasit dhe Sofjes. Në fund, komiteti ndërkombëtar i vlerësimit vendosi që edicioni i vitit 2027 të zhvillohet në Burgas. Qyteti i njohur bullgar në brigjet e Detit të Zi do të kthehet në qendër të vëmendjes evropiane në maj të vitit të ardhshëm, duke mirëpritur artistë dhe delegacione nga e gjithë Evropa.
KOHA JONË SONDAZH

