Festivali i 64-t i Këngës në RTSH, hapet thirrja për artistët. Dani: Eja nëse ke një këngë me shpirt dhe shqip
Nisin ethet e Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Stafi drejtues i Fest64 dhe RTSH kanë publikuar thirrjen për të gjithë artistët që do t’i bashkohen eventit më të rëndësishëm të muzikës shqiptare. Artistët që dëshirojnë të jenë pjesëmarrës në edicionin e 64-t të Festivalit kanë një muaj kohë, duke filluar nga data 1 shtator deri në 30 shtator, për dorëzimin e materialeve të tyre muzikore vetëm përmes email-it zyrtar [email protected].
Para dorëzimit të këngëve, Stafi drejtues i Festivalit ju kujton artistëve dhe krijuesve të sjellin vetëm krijime të reja dhe të papublikuara në asnjë formë tjetër. Në email çdo pjesëmarrës duhet të dërgojë:
Këngën e plotë në formatin MP3;
Orkestralen bashkë me zërat shoqërues në formatin MP3;
Tekstin (poezinë) e këngës në formatin Word;
Minutazhi i këngës nuk duhet të kalojë 4 minuta;
Emrat e autorëve të këngës (kompozitor, poet, orkestrues, producent, studio realizuese);
Ditën e lindjes, vendlindjen dhe vendbanimin aktual të këngëtarit;
Një përshkrim të shkurtër të aktivitetit të këngëtarit, përfshirë pjesëmarrjet e tij në festivale, si Festivali i Këngës në RTSH, Kënga Magjike apo evente të tjera muzikore të rëndësishme (nëse ka);
Fotografi të artistit ose grupit performues, nëse është hera e parë që merr pjesë në festivalin e RTSH;
Artisti performues (këngëtari) duhet të ketë mbushur 16 vjeç;
Numër kontakti dhe email për komunikim direkt me Stafin e Festivalit;
Këngët e krijuara me ndihmën e inteligjencës artificiale (AI) do të skualifikohen menjëherë.
Pas nisjes së materialeve, pjesëmarrësve do t’u dërgohet një email që konfirmon dorëzimin e tyre.
Festivali i Këngës në RTSH është një mundësi e shkëlqyer për çdo artist që dëshiron suksesin, pasi kënga fituese përfaqëson Shqipërinë në skenën magjike të Eurosongut. Shkodra Elektronike, fituesi i edicionit të 63-të të Festivalit, bëri sivjet një paraqitje dinjitoze që elektrizoi gjithë publikun në Bazel të Zvicrës.

KOHA JONË SONDAZH

