Floriana Garo nga Zvicra: S’jemi izoluar ende
Koronavirusi është bërë tema kryesore e diskutimit në mbarë botën. Të shumta janë shtetet të cilat po marrin masa parandaluese.
Qarkullimi i automjeteve dhe mbyllja e shkollave dhe aktiviteteve janë masat primare për çdo shtet.
Ditën e djeshme në emisionin “Rudina” nëpërmjet një lidhje me “Skype” ishte e ftuar Floriana Garo e cila raportoi se si është gjendja në Gjenevë, aty ku modelja dhe familja e saj aktualisht po jetojnë.
E pyetur nga Rudina se si është situata në Zvicër dhe a janë marrë masat e nevojshme si mbyllja e shkollave apo institucioneve, Floriana tregon se vetëm ditën e djeshme qeveria kishte zhvilluar një mbledhje të jashtëzakonshme ku kishte marrë dhe masat e para parandaluese.
“Sot janë marrë masat, sot kanë vendosur këshilli i ministrave që janë mbledhur mbrëmë të mbyllin kopshtet, shkollat dhe të mbyllen të gjitha bizneset megjithatë njerëzit vazhdojnë të qarkullojnë lirshëm, nuk është se nuk qarkullojnë. Deri tani nuk është ndjerë paniku por mendoj që nga sot e tutje do të fillojë të jetë situata disi më ndryshe”, rrëfen Floriana.
Gjithashtu ajo bëri të ditur se njerëzit aty janë më të qetë ndaj këtij virusi të rrezikshëm i cili po merr jetën e shumë personave në mbarë botën.