Gjesti prekës dhe humanitar nga Labinot Tahiri për djalin e Shpat Kasapit

Këngëtari i njohur Labinot Tahiri ka bërë të ditur një vendim humanitar në mbështetje të Roelit, djalit të artistit të ndjerë Shpat Kasapi. Përmes një mesazhi publik, Tahiri tha se duke filluar nga ky sezon dhe për aq kohë sa do të vazhdojë aktivitetin e tij artistik, do të ndajë 150 euro nga çdo mbrëmje muzikore dhe dasmë për shëndetin dhe mirëqenien e Roelit. Ai theksoi se zhvillon mbi 50 mbrëmje artistike gjatë sezonit në Kosovë, Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa shtoi se të gjitha të ardhurat e tij deklarohen sipas rregullave ligjore. Sipas tij, fondet do t’i dërgohen Selvie, nënës së Roelit, e cila kujdeset për të.

Postimi i plotë

Për djalin e artistit që jeton përgjithmonë në zemrat tona, edhe pse sot nuk është më mes nesh, Shpat Kasapit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Shpatin e kam pasur shok e koleg, si shumë artistë të tjerë. Djalit të tij i kam ndihmuar edhe privatisht, por sot kam vendosur diçka që do ta bëj me zemër.

Swiss Digital Mobile Reklama

Nga ky sezon e tutje, dhe për sa kohë Zoti ma jep mundësinë të punoj, nga çdo mbrëmje muzikore dhe dasmë do t’i ndaj nga 150 euro për Roelin, për shëndetin e tij dhe për ditët e jetës së tij.

Numri i mbrëmjeve të mia është i madh, më shumë se 50 në këtë sezon, si në Kosovë, ashtu edhe në Evropë e Amerikë. Numrin e dasmave dhe të mbrëmjeve e dimë ne si ekip, organizatorët, por edhe ATK-ja e Kosovës, sepse çdo gjë e deklaroj me rregull.

Të hollat do t’i dërgohen zonjës Selvie, nënës së Roelit, e cila kujdeset për të me gjithë shpirt, bashkë me Zotin dhe njerëzit zemërmirë.

Zonja Selvie dhe nëna e Shpatit, mos u mërzitni për anën materiale. Sa të jemi ne, nuk do të jeni vetëm.

Këtë fjalë ia pata dhënë mikes sime, motrës sonë Big Mama, dhe shokut të Shpatit, Xenit, se një ditë do ta merrja këtë vendim. Sot po e mbaj atë premtim.

Kolegë e kolege, e di që të gjithë e kemi dashur Shpatin. Ende ia këndojmë këngët, e kujtojmë me mall dhe flasim për të nëpër intervista, koncerte e mbrëmje. Por, përveç fjalëve, ta tregojmë dashurinë edhe me vepra. Ta ndihmojmë familjen e tij sa herë të kemi mundësi. Besoj se kjo është dhurata më e bukur që mund t’ia bëjmë kujtimit të Shpatit.

E di që familjen e Shpatit dhe djalin e tij, Roelin, do ta ndihmojnë edhe shumë artistë, siç e kanë ndihmuar Ermal Fejzullahu, Big Mama, Burak Vehapi, Pandora, Labi Gashi, i cili e ka përkrahur Shpatin gjatë tërë jetës, dhe shumë të tjerë, së bashku me mërgimtarë të cilët më kanë shkruar edhe privatisht.

Ju falënderoj të gjithëve.

Me dashuri për Roelin dhe familjen e tij, por edhe për secilin nga ju.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?