Hiti i verës? Capital T përjetëson “Hatixhen”, frymë e re nga “True Kapo” (VIDEO)
Vera iku, e ku përveç nxirjes, tërbimit në plazh dhe pas qindra foto-ve të postua kudo, nga vera na mbeti muzika e mirë. E huaj apo shqiptare, padyshim “Hatixhen” e kemi shkundur e tundur. Po thoni se kush është “Hatixhja”?
Me siguri tani jeni duke e dëgjuar në ambientin ku po pini makiaton me qumësht të ftohtë, ose e ka vendosur lokali ngjitur me ju dhe ka një orë që vetëm i bën replay, e në mos asnjëri prej tyre, me siguri makina luksoze që po kalon tek këmbët tuaja, “Hatixhen” e ka me volumin maksimum, aq sa doni ta kërceni aty, në mes të rrugës.
“Moj Hatixhe moj shami kuqe, ti ngjyn nana moj flokt e kuqe. Flokt e kuqe ti shitoft zana, a po të dhimen o baba nana?”. Tani jeni më të qartë dhe nuk ju besohet se vetë e kemi kënduar e kërcyer në dasëm, ose kur keni pirë diçka në plazh, e në mos në këto raste, do e keni dëgjuar në rrjetet sociale, ose tek ajo vajza ngjitur me ju, më saktë në urban, pasi ajo edhe pse me kufje, “Hatixhja” dëgjohet. “Hatixhen” e ka “djegur” i vogël e i madh, kudo, në çdo anë ku ka muzikë, me qindra cover-a në Youtube, në rrjete sociale janë postuar video të ndryshme dhe ende postohen. Nga çdo cep i Europës, jemi befasuar që “Hatixhen” jo vetëm shqipfolësit por edhe të huajt e kanë pëlqyer.
Për të mos e zgjatur, “Capital T”, jo vetëm që na e zbukuroi verën por edhe e përjetësoi “Hatixhen”, e cila tashmë nuk është thjesht një remiks i bukur i verës nga “Mixey”, por mbi të gjitha një pasuri e muzikës moderne shqiptare. Shumë pak artistë kanë pasur guximin, për të përpunuar një këngë tradicionale. Në version original, “Hatixhen” e ka kënduar Hamide Sadiku, e që në pak kohë edhe ky version mori shikueshmëri të lartë në Youtube, edhe kjo falë “Capital T”.
Teksti i “Moj Hatixhe, n’shami t’kuqe” rrëfen trishtimin e një nëne, së cilës po i martohet e bija dhe për dasmën ia “ngjyen flokët e kuqe”. Tani që e bija “shkoj te burri”, nëna mbetet vetëm me babain dhe dy vëllezërit dhe ndjen se e kapi pleqëria. Kurse “Hatixhja” e Mixey-t me Capital T-në flet për një dashuri të pamundur të kohëve moderne, kur Hatixhja ka një të dashur, edhe pse i shkruan në Snapchat djalit që do në të vërtetë.
Janë të pakta remikset e tilla, këngë tradicionale që nuk dinin për ekzistencën e tyre e që papritur kthehen në të më dëgjuar, shikuarat në platformat dixhitale.
“Hatixhe” e krijuar në 1971 nga Hamide Sadiku, ka qenë një perlë e pazbuluar e pa dëgjuar nga rinia jonë, e papritur pas 46 vitesh, ajo pushtoi Europën bashkë me versionin të Hamides me def. “Capital T” jo vetëm që e zgjoi nga gjumi i thellë këtë perlë të muzikës së lehtë shqiptare por vendosi një etapë të re, miksimin e tradicionales me modernen.
Pa shkuar shumë larg, pa bërë filozofi, pa kopjuar vijë melodike për të krjuar hite verore, “Capital T” e gjeti në rrënjët shqiptare, “Hatixhen” e cila po priste të shpërthente. Si në tematikë, edhe në video-n, “Capital T” ka ruajtur thelbin e krijimit, duke bërë sërisht bashkë traditën dhe modernen. Një pjesë e video-s, është xhiruar në Krujë dhe eri më tani në Youtube, kjo këngë regjistron mbi 20 milion shikime e me siguri në ditët më vijim, miliona shikime do ti shtohen.
E nëse “Hatixhes”, do ti shtojmë kurimin deri në perfeksion të “Capital T” në koncerte, pa frikë mund të themi që “True Kapo”, sezonin veror e vulosi me mjeshtërinë si në skenë dhe në projekte. Kjo verë mban emrin “Capital T” dhe këtu i shtojmë “Andiamo”, ëmbëlsirën që Ardian Bujupi në bashkëpunim me “Capital T”, i dhanë sezonit veror.
Në tetor pritet projekti i ri i “Capital T”, e të shohim deri atëherë nëse sërisht një remiks mes së vjetrës dhe modernes do rrëmbejë zemrat e të gjithëve, siç bëri me “Hatixhen”.
R.Shtylla
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=K_i4kcixYJo” width=”560″ height=”315″]
https://www.instagram.com/truekapo/