
Këngëtarja e njohur Ingrit Gjoni ishte mbrëmjen e djeshme e ftuar në emisionin “Live me Luizin”, ku foli për një nga momentet më të dhimbshme të jetës së saj, humbjen e motrës.
“E kam të vështirë të flas. Ne kemi qenë të treja si tre pika uji, por nuk i dalim dot vullnetit të Zotit”, u shpreh këngëtarja.
Kanë kaluar tre vite nga ndarja nga jeta e motrës së saj, si pasojë e një sëmundjeje të rëndë. Ingrit Gjoni tregoi se që prej atij momenti jeta e saj ka ndryshuar tërësisht.
“Më është djegur shpirti. Kam zgjedhur të vazhdoj dhe publiku më ka ndihmuar shumë. Kam dalë në koncert shumë shpejt, pas katër muajsh. Ishte një bombë e madhe për mua. Vetëm kur të martoj djalin mund të arrij të çohem e të marr një valle, sepse shpirtin e kam në zi.
Megjithatë, jam një femër e fortë dhe nuk do të doja të prekesha, sepse kam punuar me veten para se të vija. Ajo ishte një thesar për familjen tonë”, u shpreh Ingrit Gjoni.
