”Kënga Magjike 2026” ndryshon në mënyrë drastike
Pas 25 vitesh, Kënga Magjike po ndryshon formulën që e ka shoqëruar prej kohësh. Producenti i spektaklit, Ardit Gjebrea, njoftoi përmes një videoje se edicioni i vitit 2026 do të vijë me një format krejt tjetër, duke hequr një nga elementët më të diskutuar ndër vite: votimin mes vetë këngëtarëve.
Në vend të tij, vlerësimi do të bëhet nga juria dhe publiku, ndërsa vetë festivali do të largohet nga ideja tradicionale e renditjes klasike me vend të parë, të dytë dhe të tretë. Madje, sipas Gjebreas, nuk do të shpallet më as vendi i dytë apo i tretë. Do të ketë një fitues, por fokusi këtë herë nuk do të jetë renditja. “Kënga Magjike” po lëviz drejt konceptit të një nate çmimesh, më afër formulave ndërkombëtare si Grammy Awards, MTV Video Music Awards apo Brit Awards, ku rëndësi kanë kategoritë, ndikimi dhe momenti që krijon artisti.
Sipas producentit, çmimet do të lidhen me elementë si audienca, pëlqimi i të rinjve, viraliteti, fuqia e performancës etj. Në fakt, kjo është ndoshta kthesa më e madhe që festivali ka bërë prej vitesh, sepse sistemi i votimit nga artistët ka qenë gjithmonë një nga elementët më të komentuar, dhe shpesh më të kundërshtuar, të “Këngës Magjike”. Aleancat, miqësitë, votat strategjike apo zhgënjimet pas finales kanë qenë pothuajse po aq pjesë e spektaklit sa vetë këngët.
KOHA JONË SONDAZH

