Këngëtari Labinot Tahiri bën thirrje për ruajtjen e miqësisë Kosovë-Amerikë: Të ngrihemi në protestë
Këngëtari dhe ish-deputeti Labinot Tahiri ka reaguar publikisht lidhur me raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke bërë thirrje për ruajtjen dhe forcimin e miqësisë me aleatin kryesor të vendit, madje shton apelin që të mbahen protesta për këtë situatë. Tahiri shpreh shqetësimin e tij për zhvillimet e fundit politike dhe ekonomike, duke theksuar se Amerika ka luajtur një rol vendimtar në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. ”Amerika nuk na ka sjellë vetëm fjalë. Amerika na ka sjellë liri. Ajo ka qenë pranë Kosovës në momentet më të vështira dhe ka ndihmuar popullin tonë kur kishte më së shumti nevojë”, u shpreh ai. Tahiri vlerësoi kontributin e personaliteteve amerikane dhe të lobit shqiptaro-amerikan ndër vite, duke përmendur emra si Joe Biden, John McCain dhe Joe DioGuardi për mbështetjen e tyre ndaj çështjes së Kosovës.
Postimi i plotë
DUHET TË NGIHEMI NË PROTESTË PËR RUAJTJEN E MIQËSISË ME AMERIKËN
Ashtu siç kemi kërkuar mbështetjen e Amerikës para luftës, edhe sot duhet të ngrihemi në mbrojtje të miqësisë sonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Si ka mundësi që ne blejmë produkte nga Serbia, deri te Plazma keksat, që kamionët me mallra serbe qarkullojnë lirshëm dhe që paguajmë energji nga Serbia apo nga vende të tjera, por nuk qenka e pranueshme të pranohet gazi amerikan?
Amerika nuk na ka tradhtuar kurrë, ndërsa tani po duket sikur ne po e tradhtojmë Amerikën.
A ka ndonjë ekspert jashtëpartiak që mund të japë një analizë të paanshme për këtë çështje?
Po e them këtë si qytetar, si shqiptar dhe si biri i një nëne, ndërsa motrat e mia, ashtu si shumë nëna e motra të tjera, e kanë përjetuar luftën.
Interesi shtetëror duhet të jetë mbi interesin partiak.
Amerika nuk na ka sjellë vetëm fjalë. Amerika na ka sjellë liri. Amerika i ka kthyer nënat tona në Kosovë. Amerika i ka kthyer fëmijët në shtëpitë e tyre. Amerika e ka ndihmuar këtë vend kur shumë prej nesh as nuk ishim të përfshirë në politikë.
Amerika ka qenë ndër mbështetëset kryesore të pavarësisë dhe lirisë së Kosovës. Kjo ndihmë dhe ky përkushtim kanë ardhur shumë përpara se Vetëvendosje dhe Albin Kurti të ishin në pushtet apo edhe në Parlament, ashtu siç kanë ardhur pavarësisht se cila parti ka qenë në qeverisje.
Ne duhet të kemi vetëm mirënjohje për popullin amerikan, për senatorët dhe personalitetet amerikane si Joe Biden, John McCain dhe Joe DioGuardi, i cili ishte një nga miqtë më të mëdhenj të Kosovës dhe ngriti zërin për të drejtat e shqiptarëve në Kongresin amerikan, si dhe për lobin shqiptaro-amerikan që ka qëndruar pranë nesh në momentet më të vështira.
Popull, hapni sytë mirë para se ta vendosim vetveten në shënjestër dhe para se t’i largojmë miqtë që i kemi pasur gjithmonë pranë. Prandaj propozoj që të ngrihemi në protestë, në mbrojtje të miqësisë me Amerikën, me Ambasadën Amerikane dhe me ushtarët e Bondsteel-it, të cilët kanë qenë pranë Kosovës në ditët më të vështira.
Duhet ta ruajmë amanetin e Dr. Ibrahim Rugovës:
“Miqësia e përhershme me Amerikën dhe popullin amerikan.”
Kjo miqësi duhet të mbetet jetike për Kosovën.
Kosova është mbi partitë politike dhe mbi liderët e tyre.
Me respekt dhe dashuri,
Labi
Kosovë dhe Shqipëri
KOHA JONË SONDAZH

