Kosova aplikon që të marrë pjesë në ”Eurovision 2025”

Transmetuesi publik i Kosovës synon që të marrë pjesë në ”Eurovizion 2025”, që do të mbahet në Zvicër. Kërkesa zyrtare është dorëzuar në Unionin Evropian të Transmetuesve (EBU). Dorëzimi i kërkesës është bërë pas një seri takimesh e angazhimesh të kryetarit të Bordit, Besnik Boletini dhe drejtorit të Përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj me drejtuesit e EBU-së dhe transmetuesve publik evropian.

“Me respekt, kërkojmë që të merrni në konsiderim dërgimin e një ftese RTK-së që të marr pjesë në garën e ardhshme të Eurosong. Pjesëmarrja jonë nuk do të ishte vetëm shpërfaqje e talentëve të Kosovës por gjithashtu do të fuqizonte frymën gjithëpërfshirëse dhe shkëmbimin kulturor që përfaqëson Eurovizioni”, thuhet në letrën e drejtorit Ahmetxhekaj. Më tej theksohet se ftesa për RTK-në do të ishte e bazuar në frymën evropiane.

“Ne fuqishëm besojmë që Festivali i Këngës së Eurovizionit është një ngjarje jo-politike që feston muzikën, diversitetin dhe unitetin, vlera që përkojnë thellësisht me kombin tonë”- thuhet në letër.

SHKARKO APP