”Kutia e Pandorës” hapet pas vdekjes së Mazonakis, hetimet zbulojnë problematika në spital
Pas vdekjes së këngëtarit të njohur grek Giorgos Mazonakis, autoritetet greke kanë intensifikuar kontrollet në klinikat dhe qendrat private shëndetësore. Në Selanik, një klinikë private është mbyllur pasi kontrollet e Autoritetit Kombëtar të Transparencës zbuluan një repart onkologjik që funksiononte pa licencë dhe ku kryheshin kimioterapi. Sipas hetimeve, klinika kishte pajisje për përgatitjen e barnave kimioterapeutike, ndërsa një mjek përshkruante trajtime për pacientët pa pasur kontratë të rregullt me institucionin.
Kontrollet zbuluan gjithashtu mungesë të infermierëve dhe mjekëve të disa specialiteteve, si dhe probleme me strukturat që kërkoheshin nga licenca e klinikës. Autoritetet po verifikojnë edhe raste ku pacientë të shtruar me diagnoza që nuk lidhen me kancerin rezultojnë të kenë marrë kimioterapi. Dyshimet lidhen edhe me të dhëna të pasakta të mundshme të dërguara për rimbursim në EOPYY.
Problemet në klinikë ishin evidentuar edhe më herët. Në vitin 2025 ishte konstatuar mungesa e personelit, ndërsa në fillim të vitit 2026 iu hoq certifikata e funksionimit dhe u rekomandua mbyllja. Megjithatë, klinika vijoi aktivitetin. Tashmë licenca i është hequr dhe dosja është dërguar në Prokurori. Rasti vjen pak javë pas vdekjes së Mazonakis në një qendër private në Athinë, gjatë një procedure plazmafereze. Pas ngjarjes, autoritetet nisën kontrolle të gjera në sektorin privat të shëndetësisë.
Vetëm në Atikë, sistemi i ri MedWatch ka identifikuar 231 struktura të klasifikuara si “të kuqe”, që kërkojnë kontroll të menjëhershëm, dhe 424 të tjera në kategorinë “e verdhë”. Autoritetet sqarojnë se këto klasifikime nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht shkelje, por raste që kërkojnë verifikim të mëtejshëm. Kontrollet përfshijnë klinika, poliklinika, kabinete mjekësore, qendra estetike dhe struktura të tjera private në të gjithë vendin.

